Një ish-shok shkolle i kandidatit për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert F. Kennedy Jr., e ka akuzuar atë se shiste kokainë në kampusin e Universitetit të Harvardit, kur ishte student.
Shkrimtari Kurt Andersen bëri akuzën bombastike të premten, në një artikull të botuar te “The Atlantic”, pikërisht në ditën kur Kennedy Jr. deklaroi tërheqjen nga gara presidenciale dhe mbështetjen për kandidatin republikan, Donald J. Trump.
Andersen pretendon se në vitet 1970 ka blerë korkainë nga Kennedy Jr. dhe vëllai i tij, Joseph P. Kennedy II, për 40 dollarë. “Ndonjëherë, gjatë vitit të parë të shkollës, kam provuar kokainë, më ka pëlqyer dhe më vonë vendosa ta blija vetë”, tha Andersen. “Një mik më tha se një djalë në klasën tonë shiste kokainë. Ai ishte Bobby Kennedy”.
“Pagova 40 dollarë atëherë, sot do të vlenin 300. Por të blije kokaiunë nga një Kennedy ishte diçka luksoze, ia vlente”, shtoi Andersen.
Ai tha gjithashtu se vendosi ta zbulonte këtë episod për faktin që nipi i presidentit John F. Kennedy vendosi të mbështeste Donald Trump në garën presidenciale. “Nëse Trump bëhet president, ka thënë se do të ekzekutojë trafikantët e drogës. E ka thënë këtë në vitin 2018, kur ishte president dhe e ka përsëritur në vitin 2022”, tha Andersen.
Robert F. Kennedy Jr. është arrestuar në vitin 1970 për posedim marijuane, në një kohë kur kjo përbënte ende vepër penale në SHBA. Ndërsa vite më vonë u arrestua edhe pasi iu gjet heroinë në trup. Gjithashtu në një libër për jetën e tij tregohet se për shkak të problemeve si adoleshent, nisi të konsumonte marijuanë, lëndë të tjera narkotike e deri te heroina.
/a.r