82 ekzekutime në më pak se katër muaj. 82 persona të dënuar për krime të kryera edhe në kohën kur kanë qenë fëmijë janë ekzekutuar me prerje koke. Po ndodh aktualisht në Arabinë Saudite.
Këto janë të dhënat e mbledhura dhe të publikuara nga Reprieve, një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e cila prej kohësh lufton seriozisht kundër abuzimeve të pushtetit dhe dënimit me vdekje.
Emri i mbretit të Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz bin Abdulrahman Al Saud, është shfaqur ditët e fundit në listat e Panama Papers, për dy hua prej 26 dhe 8 milionë dollarësh për blerjen e shtëpive luksoze në Londër dhe përdorimin e një jahti të quajtur “Erga”, aktivitete të gjitha të kryera përmes kompanive të regjistruara në parajsën fiskale të Ishujve Virgin Britanikë.
E ndërsa njeriu i ngjitur në fron vitin e shkuar i fshihte këto pará në një kompani offshore, tre djem të arrestuar për protestat që kërkonin reformim të regjimit, që të tre fëmijë në atë kohë, janë dënuar me vdekje. Quhen Dawoud al Marhoon, Ali al Nimr e Abdullah al Zaher. Dhe mund të vriten në çdo moment, pa i informuar fare familjet apo avokatët e tyre. Sistemi gjyqësor saudit nuk e ka këtë detyrim.
Më 2 janar, Ali Saeed al-Ribh u ekzekutua me prerje koke për shkak të përfshirjes së prezumuar në të njëjtat protesta politike. Mori pjesë në to kur nuk kishte mbushur ende 17 vjeç. Ekzekutimi i tij në heshtje bën pjesë në më tepër se 80 të tilla që kanë ndodhur që nga fillimi i vitit 2016.
Nëse vazhdohet me këtë ritme, shkruan Reviere, deri në fund të vitit do të ketë mbi 320 të ekzekutuar, më tepër se dyfishi i vitit 2015, kur u ekzekutuan 158, ndërsa më 2014 totali ishte 88.
“Arabia Saudite po përgatitet të thyejë rekordin e prerjes së kokave. Ndaj është më e rëndësishme se kurrë që aleatët e saj, Angli, Europa, SHBA, të kërkojnë të ndalë”, thotë Maya Foa, drejtore e skuadrës kundër vdekjes në Reprieve. “Padrejtësitë e mëdha të sistemit saudit tregojnë se ata që janë ekzekutuar në shumë raste janë detyruar të rrëfehen nën torturë, fajtorë vetëm se kanë kërkuar në mënyrë paqësore reforma”.