Efektet shëndetësore të zjarrit, përpos efekteve të menjëhershme, mund të jenë edhe afatgjata. Efektet negative lidhen me çrregullimet e shëndetit mendor, vdekjen nga sëmundjet e zemrës, “stopimin” e zhvillimit të fëmijëve, ndërsa tymi mund të prekë njerëzit pavarësisht nëse janë pranë zjarrit apo jo.
Siç thekson hulumtimi, efektet e zjarreve në shëndet mund të jenë:
– Të menjëhershme duke përfshirë lëndimet afatgjata, madje edhe vdekjen, që vijnë nga djegiet dhe thithja e tymit gjatë zjarreve.
– Indirekt nëpërmjet ndotjes së ajrit dhe stresit mendor që rezulton nga humbjet ekonomike, viktimat dhe evakuimet e detyruara.
Ekspozimi ndaj tymit të zjarrit mund të irritojë mushkëritë, të shkaktojë inflamacion, të ndryshojë funksionin e sistemit imunitar, të rrisë ndjeshmërinë ndaj infeksioneve të frymëmarrjes dhe të shkaktojë dëmtime në nivel qelizor dhe molekular, duke çuar në vdekjen e qelizave.
Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë lëshuar udhëzime për profesionistët shëndetësorë në lidhje me simptomat akute dhe shenjat e ekspozimit ndaj tymit.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se ekspozimi ndaj zjarrit lidhej me efekte të rrezikshme te fëmijët, veçanërisht kur nënat ekspozoheshin ndaj tymit gjatë shtatzënisë. Një studim sugjeron se kjo mund të jetë për shkak të efekteve të tymit të zjarrit në shëndetin e frymëmarrjes të grave shtatzëna.
/a.r