Shoqëria civile po e sheh rrezik të madh futjen e Trepçës në bisedimet politike në Bruksel.
Jo vetëm duke u bazuar në deklarimet e palës serbe, por edhe në deklarimet e panumërta të palës kosovare se çështjet e brendshme të Kosovës nuk do të diskutoheshin, e që sërish u shtruan në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Erëza Pula nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se e gjithë shoqëria kosovare, pavarësisht përkatësisë politike, duhet të angazhohet që të mos lejojë në asnjë mënyrë futjen në agjendë të gjigantit, pasi zhvillimi i tij është rrënjësor për të ardhmen ekonomike të vendit, raporton KTV.
Me këtë të fundit pajtohet edhe qeveria.
Zëdhënësi i saj, Arban Abrashi, ka thënë se qeveria deri në fund të vitit do të dalë me ligj dhe me planin strategjik për zhvillimin e Trepçës dhe minierave tjera.Abrashi thotë se deklarimet e politikanëve, sikur në rastin e Vuçiqit, janë për konsum politik zgjedhor. Ai deklaron se pavarësisht kundërshtimeve, serbët janë duke marrë pjesë në komisionin për Trepçën.
Komisioni pritet të takohet këtë javë.