I rrethuar nga ujërat blu të Detit Mesdhe, ishulli shkëmbor i Sazanit shërbeu si bazë ushtarake gjatë Luftës së Ftohtë. I izoluar nga pjesa tjetër e vendit që para ’90-s ka qenë një nga vendet më të izoluara në botë, ndërtesat dhe bunkerët e tij të prishur tani janë të mbushura me bimësi.
Dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump dëshiron t’i kthejë këto hapësira në destinacione luksoze për të pasurit. Ai planifikon të shpenzojë më shumë se 1 miliard dollarë për të ndërtuar hotele dhe shtëpi, investimi i vetëm më i madh deri më tani nga fondi i tij privat i kapitalit “Affinity Partners”.
Megjithatë, projektet e tij kanë shkaktuar polemika për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore në një rajon ku kujtimet janë ende të papërpunuara.
Qeveria shqiptare dhe ajo serbe shprehen se investimet e SHBA-së do të sjellin përfitime ekonomike, vende pune dhe një përmirësim të ofertës së tyre kombëtare të turizmit.
Nga ana tjetër, kritikët thonë se kjo është një lëvizje për fituar mbështetjen e familjes Trump për shkak të perspektivës së kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Nëse synimi është ekskluziviteti, atëherë Sazani ka një origjinë. Për dekada nën diktatorin komunist shqiptar Enver Hoxha, ishulli ishte i shkëputur nga pjesa tjetër e vendit, i cili ishte vendi më i izoluar nga ku ishte e vështirë për t’u larguar apo të huajt ta vizitonin atë.
Kushner caktoi fondet për projektin nga firma e tij private pasi vizitoi disa herë vendin ballkanik me 2.2 milionë banorë dhe u kthye në ishull në muajin qershor.
Fondi prej 3 miliardë dollarësh mbështetet nga investitorë të Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.
“Interesi për Shqipërinë erdhi nga një vizitë në vitin 2021. Isha i intriguar. Pastaj mundësia u shfaq rreth një vit më vonë. Jam kthyer edhe dy herë të tjera. Që atëherë për të kontrolluar gjërat dhe për t’u siguruar që ndihem rehat. Jam gjithnjë e më i emocionuar për potencialin”, shprehet Kushner në një telefonatë të zhvilluar me Bloomberg.
Agjencia e investimeve të qeverisë shqiptare e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka marrë aplikimin e Kushnerit për projektin e Sazanit, ndërsa ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro thekson se “është duke u punuar në këtë proces”.
Affinity po shikon gjithashtu një investim të veçantë në gadishullin e Zvërnecit përballë Sazanit, megjithëse ende nuk është paraqitur asnjë aplikim, transmeton Bloomberg.
Sipas Asher Abehsera, CEO i Affinity Global Development, i cili ka punuar si partner me Kushner dhe do të mbikëqyrë zhvillimet theksoi se “ka më shumë punë për të bërë sepse është një zonë konservimi”
Investimi total vetëm në Shqipëri do të jetë përfundimisht mbi 1 miliard dollarë, megjithëse afati kohor është i paqartë.
“Çdo investitor serioz, veçanërisht nga vendet aleate strategjike të Shqipërisë si Shtetet e Bashkuara, ka një derë të hapur për të kontribuar në rritjen cilësore të turizmit dhe standardet e larta në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit”, tha Kumbaro.
Duke pasur parasysh vendndodhjen e tij strategjike, përgjatë shekujve Sazani ka qenë nën kontrollin e romakëve, bizantinëve, osmanëve, venecianëve, britanikëve, grekëve, italianëve dhe më në fund iu dorëzua Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ushtria e braktisi atë në vitet 1990 pas rënies së komunizmit dhe Shqipëria kaloi një periudhë të paqëndrueshme të kolapsit ekonomik, trazirave sociale dhe migrimit masiv.
U deshën dy dekada reformash të dhimbshme përpara se Shqipëria të anëtarësohej në NATO dhe të aplikonte për anëtarësim në Bashkimin Evropian në 2009.
Ishulli i Sazanit prej 1400 hektarësh mund të bëhet një vendstrehim i lakmuar. Kushner synon të ndërtojë vila luksoze të vendosura në majat e shkëmbinjve, ku bashkohen detet Adriatik dhe Jon dhe duke u përzier në peizazhin e thyer.
Hoteli do të operohet nga marka ekskluzive Aman, klientët e së cilës përfshijnë Mark Zuckerberg, Bill Gates dhe Kardashians.
“Është shumë e rrallë të gjesh diçka të tillë në Mesdhe sot dhe unë besoj se kjo është vlera e vërtetë e Sazanit”, tha Auron Tare, historiani që ka shoqëruar Kushnerin dhe gruan e tij Ivanka Trump në vizitën e tyre në Shqipëri, së fundmi gjatë një vizitë njëjavore në qershor.
Çifti mbërriti në Tiranë me avion privat dhe vizituan gjithë vendin me helikopter, duke qëndruar në një jaht në pronësi të mikut të tij. Kushner ka thënë se ai është tërhequr nga Shqipëria si një destinacion turistik me rritje të shpejtë.
Qeveria shqiptare pret 30 deri në 40% më shumë vizitorë këtë vit bazuar në prenotimet e deritanishme. Disa ambientalistë dhe politikanë janë të shqetësuar se ujërat e mbrojtura që rrethojnë ishullin mund të dëmtohen.
Kushner ka thënë se projekti i tij do të respektojë të gjitha standardet mjedisore për të ruajtur vijën bregdetare, ndërsa Rama u shpreh se kritikët “mashtrojnë veten” se zona është mbrojtur ndonjëherë “përveç nga ushtarët e Enver Hoxhës”.
Por kundërshtarët thonë gjithashtu se nuk kishte debate dhe rishikime të mjaftueshme për statusin e ishullit si një vend i sigurisë kombëtare.
Shqipëria ndryshoi ligjin e saj për zonat e mbrojtura disa javë përpara se Kushner të shpallte publikisht planet e tij, duke hapur rrugën për ndërtimin e hoteleve me pesë yje ose “projekte të tjera strategjike të rëndësishme”.
“Duke parë që demokratët mund të humbin zgjedhjet e nëntorit, Rama kërkon të rreshtohet me administratën Trump”, shprehet Alfred Lela, sekretar i medias për Partinë Demokratike.
Ndërkaq, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se nuk ka asnjë lidhje midis ndryshimeve të ligjit dhe projektit të Kushnerit.
Në vizitën e fundit në Shqipëri, Jared Kushner dhe Ivanka Trump u shoqëruan nga një arkitekt, ku ecën nëpër shtigjet e egra të Sazanit, duke kaluar ndërtesat ushtarake, shkollën dhe kinemanë e shkatërruar, të udhëhequr nga historiani Auron Tare.
“Kushner ishte i intriguar nga e kaluara e ishullit si një zonë e kufizuar ushtarake. Në lulëzimin e tij, Sazani ishte i aftë të përballonte çdo rrethim për gjashtë muaj, i vetëqëndrueshëm në armatim dhe ushqim. Njerëzit në qytetin bregdetar të Vlorës – vetëm 25 minuta larg me anije turistike – lindën, u rritën dhe u plakën pa e vizituar kurrë Sazanin. Faza e parë e projektit do të ketë një investim prej 200 milionë deri në 250 milionë dollarë, sipas Abehseras. Pasi autoritetet të përfundojnë shqyrtimin e tyre, firma do të fillojë punën”, thotë Tare.
Niko Leraj, 64-vjeç, ish-oficer i artilerisë në brigadën e Marinës, i vendosur në ishull për gati 9 vjet, shpesh vështron ishullin ku dikur jetonte me familjen e tij nga Vlora.
Ai shprehet dakord që ishulli të restaurohet dhe rigjallërohet nga Kushneri, por do të preferonte që zhvillimi të menaxhohej nga strukturat shtetërore.
“Për dikë si unë që ka jetuar në këtë ishull, më dhemb ta shoh atë të lënë pas dore për kaq shumë kohë. Dua ta shoh përsëri të bukur”, tha Leraj.
/a.r