Deputeti Vullnet Sinaj ka reaguar pas kërkesës së Partisë Demokratike drejtuar Kuvendit, për t’i hequr mandatin deputetit socialist.
Sipas tij, thashethemet e portaleve po përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike. Vullnet Sinaj në deklaratë sqaruese thekson faktin se ka hequr dorë nga Big Market që në 2017 ku u zgjodh deputet, duke mohuar pretendimet e opozitës.
“Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi. Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet,” thotë Sinaj.
Reagimi i plotë:
Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Gjobëvënësit mediatikë e përsërisin këtë këngë gjinkallash nga viti 2017. Por, surpriza është që thashethemet e portaleve përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike.
Per sa më sipër, deklaroj me përgjegjësi të plotë:
1. Në zbatim të nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, nga viti 2017 kam dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të mia, duke iu përkushtuar vetëm politikës.
2. Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi.
3. Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet.
Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit.
Kujtojmë se dy ditë më parë Partia Demokratike iu drejtoha me një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për të dërguar në Kushtetuese mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike bëri me dije se do të dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese mandatin e Sinajt pasi sipas tyre nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit.
Demokratët thonë se në kundërshtim flagrant me ligjin ka përfituar disa milionë lekë nga Buxheti i Shtetit, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e tij si deputet.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, do ti kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina. Nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.
Deputeti Vullnet Sina i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.
Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend”, thuhet në njoftimin e demokratëve.
Demokratët e akuzojnë Sinajn, i cili rezulton të jetë pronari i linjës së supermarketeve në Shqipëri “ Big Market” se ka “futur duart” në Buxhetin e Shtetit.
/a.r