Pikërisht në këtë periudhë Berisha filloi të ngjirej nëpër takimet me popullin. “Në demokraci nuk ka të vonuar. Opozitarë, por vëllezër. Bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”. Këto ishin parullat e ditës të partisë që pretendonte pushtetin.
Koha bën të vetën, por historia është e pamëshirshme në kujtesën e saj. Në këtë fragment që po botoj sot në gazetën ‘DITA’ po risjell në kujtesën e lexuesve një episod thuajse të harruar nga lexuesit. Për të garantuar një fitore të sigurt në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, Sali Berisha dhe PD organizoi një fushatë të paparë në mbështetje të fitores së pritshme, duke marrë firmat e intelektualëve më në zë të kohës. A ishin vërtet pro-Berishës Fatos Klosi, Petrit Gaçe, Ylli Popa, Pandeli Çina, Panajot Boga, Bedri Dedja e të tjerë…
Anëtarë të Akademisë së Shkencave: Bajram Preza, Bedri Dedja, Besim Daja, Petrit Gaçe, Selaudin Bekteshi, Teki Biçoku, Ylli Popa. Profesorë: Agim Popa, Bujar Hoxha, Fehmi Shehu, Pandeli Çina, Koço Gliozheni, Panajot Boga, Petraq Petro, Selim Islami, Shefqet Ndroqi, Viron Kola. Dok. Doc. BVSH. KSH: Afrim Tabaku, Adrian Shehu, Agim Bërdulla, Agim Budo, Agim Karçanaj, Agim Shehu, Akile Kero, Arben Dushi, Arben Santo, Arben Tashko, Artan Goda, Alfred Priftanji, Agron Lufi, Angjelin Shtjefni, Baftjar Nevruzi, Bashkim Resuli, Bedri Bylyku, Besnik Gjongecaj, Eduard Gjika, Burhan Çelo, Durim Bebeci, Enver Faja, Esat Emiri, Fatos Adami, Fatos Harito, Fatos Klosi, Fatmir Elmazi, Fedhon Meksi, Flamur Zela, Frida Shahini, Gëzim Hajdari, Gëzim Mukli, Gëzim Pepi, Gjergj Caushi, Hasan Karagjozi, Hysen Agolli, Ilo Mele, Ismail Demneri, Ismail Sulo, Isuf Reçi, Isuf Sukaj, Jakup Agalliu, Jani Teta, Jolanda Koçi, Kasëm Bokshi, Kostë Koçi, Kudret Velça, Kristo Pano, Luan Karçanaj, Luigj Gjoka, Llazar Xhajanka, Mahmut Shushku, Maks Cikuli, Mehdi Agolli, Mentor Petrela, Muharrem Dragovaja, Muharrem Seseri, Mihal Prifti, Murat Manehasa, Myzafer Çela, Nikollaq Koçani, Nestor Therecka, Nikolla Qafoku, Nikolla Verdha, Petraq Marango, Pëllumb Çarçani, Petrit Barani, Petraq Xhaçka, Petrit Rama, Petrit Dodbiba, Petrit Vasili, Pirro Veizi, Pjerin Preka, Pal Xhumari, Pëllumb Karagjozi, Pjerin Radovani, Qemal Mandia, Qevqep Kambo, Rajmond Sharko, Rajmond Ikonomi, Rahmi Korbi, Ramiz Topi, Robert Magapi, Roland Pinguli, Sefedin Xhemalçe, Sotir Rrapo, Sul Kodra, Sulejman Zhguli, Skënder Durrësi, Skënder Malja, Skënder Koja, Skënder Xhiku, Spiro Boçi, Spiro Duka, Shyqyri Subashi, Taqo Adami, Tatjana Dishnica, Tatjana Harito, Vladimir Spaho, Ylli Bujari, Ylli Kolonja, Thoma Kristo.
Nga Xhevdet Shehu
Koha e djegies së tempujve
Fushata ishte në pikun e saj, e shoqëruar me tensione politike, me terror dhe me ankth. Vazhdonin krismat nëpër natë, vriteshin njerëz, grabiteshin dyqane, digjeshin shkolla….
Djegia e shkollave është krimi më i përbindshëm, më i turpshëm, i paparë dhe i padëgjuar, që u shfaq gjatë kësaj periudhe.
…U rrëqetha i gjithi, ndërsa sytë më ishin mbushur me lot. Para meje ndodhej viktima pa jetë. E gjymtuar, e masakruar barbarisht, e rrënuar krejt. Shkolla ime e varfër e fshatit, shkolla “më e bukur në botë”, kishte dhënë shpirt mes flakësh që dukej se e kishin përpirë në pak çaste me një hare makabre…
Thuhej se akti i përbindshëm kishte ndodhur në muzg. Hijet kishin shqyer dyert, kishin spërkatur me benzinë bankat, dërrasat e zeza, dritaret, dollapët, tavolinat dhe… pastaj është i thjeshtë përfytyrimi për atë që kishte ndodhur.
Kujtimet, fëmijëria e sa e sa brezave, kishin mbetur përjetësisht në rrënojat e saj, nën ata mure të handakosur e të nxirë. Pranë saj do të ngrihej në të ardhmen një shkollë tjetër, por, kurrsesi jo, me thjeshtësinë dhe madhështinë, hijeshinë dhe bukurinë e asaj të vjetrës. Ajo ishte e pazëvendësueshme dhe do të jetonte vetëm në nënndërgjegjen time. Aty, drejt asaj godine tashmë të zhuritur, fëmijëria ime e varfër do të rendte përjetësisht me gëzim për të mësuar abc-në dhe këngët e para….
Fëmijëria ime me këpucë të grisura, e etur për të kapur qiejt.
Fëmijëria ime dhe e bashkëmoshatarëve të mi si një tufë zogjsh gumëzhin pareshtur në oborrin e kësaj shkolle…
Tashmë oborri i saj ishte i shkretë, pa lule, pa zëra fëmijësh, pa rregull në oborr. Pas atentatit gjithçka dukej e shkretuar. Më ngjau se rrëzë muresh kishin filluar të harboheshin ferrat e hithrat, si në shtëpitë e braktisura pas bombardimeve a tërmeteve, ku vetmia klith në çdo anë e bëhet xhind.
Nuk mund ta shihja më gjatë shkollën time ashtu. Erdha, e pashë, sa për t’u ndarë. Ashtu siç ndahemi me një njeri të dashur që ka vdekur. Nuk rrihet gjatë para meitit… Nuk rrihet gjatë, ndoshta, që në kujtesë të mbetet fytyra e të gjallit. Jeta, jo vdekja…
Shkolla ime e dashur e fëmijërisë kishte vdekur njëherë e përgjithmonë! Tani e tutje ajo do të më shfaqet vetëm në ëndrra.
Dhe, sa herë shkoj në vendlindje, mundohem të mos e kthej kokën nga ai krah që ndodhet shkolla, përpiqem të mos e shoh…
Unë vazhdoj të luaj symbyllazi me atë të paharruarën, të vjetrën…
(Të njëjtin trishtim, madje në përmasa më të mëdha, do ta ndieja në marsin e përflakur të 1997-ës, kur hija e vdekjes pllakosi gjithë Shqipërinë dhe djegia e tempujve ishte diçka krejt e zakonshme brenda anormalitetit të përgjithshëm. Pikërisht në këtë kohë iu vu flaka Universitetit Bujqësor dhe bibliotekës unikale të tij, e cila ishte ndër dy-tri bibliotekat më të pasura të llojit të vet në Ballkan, duke djegur rininë e papërsëritshme të kushedi sa breza studentësh…
Por jo vetëm dhe thjesht rininë në kuptimin e moshës dhe ëndrrave sublime që mbart ajo moshë. Ishte padyshim kjo arsyeja që e shtyu poetin Fatos Arapi të më thoshte me sy të përlotur, sapo u takuam pas asaj ngjarjeje:
– Kjo ditë e meritonte të shpallej Ditë zie Kombëtare!.
Sepse akti i përbindshëm i djegies së bibliotekave dhe shkollave kurrsesi nuk mund të quhet një idiotësi e rëndomtë, një gjest hakmarrjeje apo shfryrjeje dufi momental, sikurse përpiqen ta justifikojnë disa. Ky akt (sigurisht) ka qënë i paramenduar hollë, duke patur synime djallëzisht më të thella, ku goditja, traumatizimi, shuarja e kujtesës kombëtare është e para gjë që të vjen në mendje…
Zjarrvënësit duhet të kenë qenë shumë më tepër se kriminelë të zakonshëm…
Ndoshta hetimet e paanëshme (nëse do të zhvillohen ndonjëherë) mund të grisin vellon misterioze të këtij krimi të turpshëm e të pashlyeshëm në historinë tonë si komb).
***
11 ditë para zgjedhjeve në një koment në Zërin e Amerikës për fushatën zgjedhore në Shqipëri, Elez Biberaj ndalej edhe në këtë aspekt, ndërsa shtonte:
Çuditërisht dhe me gjithë deklaratat publike, presidenti komunist Ramiz Alia dhe qeveria e kryeministrit Vilson Ahmeti nuk kanë marrë masat e nevojshme për të siguruar që fushata e zgjedhjeve të zhvillohet në kushte normale. Por megjithë kërcënimet dhe manipulimet e tanishme, shumica e vëzhguesve parashikojnë se opozita demokratike do të fitojë. Ata thonë se këtë radhë komunistët nuk do ta kenë aq të lehtë sa vjet për të frikësuar votuesit, të cilët tashmë duket se i shohin zgjedhjet e 22 marsit si shpresën e fundit për shpëtimin e vendit.
Pikërisht në këtë periudhë Berisha filloi të ngjirej nëpër takimet me popullin. Në demokraci nuk ka të vonuar. Opozitarë, por vëllezër. Bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës. Këto ishin parullat e ditës të partisë që pretendonte pushtetin, ndërsa të shqiptuara me aq forcë dhe siguri nga kryetari i partisë, arritën të magjepsnin shumicën e popullit…
Nuk ka dyshim që shumica dërrmuese e shqiptarëve janë bashkëpërgjegjës dhe bashkëvuajtës në diktaturën komuniste, – deklaroi Berisha në konferencën e shtypit 9 ditë para zgjedhjeve. – Së këtejmi pra, është e drejta e tyre qytetare për të luftuar e për t’u shkëputur nga okupacioni komunist. Duhet që ky proces të ketë në bazë krejtësisht tolerancën. Nuk mund të akuzosh për komunist një fshatar të varfër i cili ka vuajtur nga komunizmi si askush tjetër në Tropojë, në Pukë, apo në Frashër të Përmetit. Problemi është se helmi i ideologjisë komuniste i ka ndryshuar atij psikologjinë. Është humane, njerëzore, të shërojmë sëmundjen dhe të shpëtojmë të sëmurin.
Ato ditë kishte ardhur në Tiranë enkas për të pasqyruar fushatën zgjedhore, Julian Negele, korrespondenti i shërbimit botëror të Zërit të Amerikës për Europën Lindore me seli në Pragë. Atij i bënin shumë përshtypje mitingjet e opozitës dhe sidomos fjalimet e kryetarit të saj, ndaj më thoshte i çuditur:
– Monsieur Berisha, parait-il, a beaucoup de raisons pour maudir le communisme. Mais, pourquoi, donc hurle-t-il?*
(*Frëngjisht: – Me ç’shoh, zoti Berisha ka shumë arsye ta mallkojë komunizmin. Po përse ulërin, xhanëm?)
Megjithatë, Berisha po shkëlqente gjithnjë e më shumë në atë fushatë. Ngjirja e tij ishte bërë e pranueshme, madje sugjestionuese, për një pjesë të konsiderueshme të elektoratit shqiptar, ndërkohë që afrimi i ditës së zgjedhjeve konturonte gjithnjë e më qartë fitoren e padiskutueshme të opozitës.
Kësaj fitoreje i shkoi në ndihmë një thirrje e 182 intelektualëve, të cilët, nëpërmjet një thirrjeje që u quajt Manifest, i kërkuan popullit të votonte për opozitën. 7 ditë para zgjedhjeve, nën titullin e bujshëm ATDHEU NA THËRRET!, në faqen e parë, gazeta RD e datës 15 mars 1992, në fund të manifestit, publikonte emrat e tyre. Ata ishin:
Anëtarë të Akademisë së Shkencave: Bajram Preza, Bedri Dedja, Besim Daja, Petrit Gaçe, Selaudin Bekteshi, Teki Biçoku, Ylli Popa. Profesorë: Agim Popa, Bujar Hoxha, Fehmi Shehu, Pandeli Çina, Koço Gliozheni, Panajot Boga, Petraq Petro, Selim Islami, Shefqet Ndroqi, Viron Kola. Dok. Doc. BVSH. KSH: Afrim Tabaku, Adrian Shehu, Agim Bërdulla, Agim Budo, Agim Karçanaj, Agim Shehu, Akile Kero, Arben Dushi, Arben Santo, Arben Tashko, Artan Goda, Alfred Priftanji, Agron Lufi, Angjelin Shtjefni, Baftjar Nevruzi, Bashkim Resuli, Bedri Bylyku, Besnik Gjongecaj, Eduard Gjika, Burhan Çelo, Durim Bebeci, Enver Faja, Esat Emiri, Fatos Adami, Fatos Harito, Fatos Klosi, Fatmir Elmazi, Fedhon Meksi, Flamur Zela, Frida Shahini, Gëzim Hajdari, Gëzim Mukli, Gëzim Pepi, Gjergj Caushi, Hasan Karagjozi, Hysen Agolli, Ilo Mele, Ismail Demneri, Ismail Sulo, Isuf Reçi, Isuf Sukaj, Jakup Agalliu, Jani Teta, Jolanda Koçi, Kasëm Bokshi, Kostë Koçi, Kudret Velça, Kristo Pano, Luan Karçanaj, Luigj Gjoka, Llazar Xhajanka, Mahmut Shushku, Maks Cikuli, Mehdi Agolli, Mentor Petrela, Muharrem Dragovaja, Muharrem Seseri, Mihal Prifti, Murat Manehasa, Myzafer Çela, Nikollaq Koçani, Nestor Therecka, Nikolla Qafoku, Nikolla Verdha, Petraq Marango, Pëllumb Çarçani, Petrit Barani, Petraq Xhaçka, Petrit Rama, Petrit Dodbiba, Petrit Vasili, Pirro Veizi, Pjerin Preka, Pal Xhumari, Pëllumb Karagjozi, Pjerin Radovani, Qemal Mandia, Qevqep Kambo, Rajmond Sharko, Rajmond Ikonomi, Rahmi Korbi, Ramiz Topi, Robert Magapi, Roland Pinguli, Sefedin Xhemalçe, Sotir Rrapo, Sul Kodra, Sulejman Zhguli, Skënder Durrësi, Skënder Malja, Skënder Koja, Skënder Xhiku, Spiro Boçi, Spiro Duka, Shyqyri Subashi, Taqo Adami, Tatjana Dishnica, Tatjana Harito, Vladimir Spaho, Ylli Bujari, Ylli Kolonja, Thoma Kristo.
Intelektualë të Artit dhe Kulturës: Ali Abdihoxha, Arben Kallamata, Ali Oseku, Andrea Varfi, Alush Shima, Agim Qirjaqi, Agim Zajmi, Alfred Bualoti, Ahmet Pasha, Artan Seja, Bashkim Ahmeti, Bashkim Dervishi, Englantina Mandia, Edi Hila, Fatos Kola, Gazmend Leka, Hektor Pustina, Kin Dushi, Kujtim Çashku, Kol Jakova, Leka Bungo, Llazar Siliqi, Mehmet Elezi, Mërkur Bozgo, Miltiadh Kutali, Neshat Tozaj, Niko Progri, Naxhi Bakalli, Ndriçim Xhepa, Ramadan Sokoli, Rikard Ljarja, Taulant Pustina, Tefik Çaushi, Vehbi Skënderi, Vasian Lame.
Intelektualë të njohur të prodhimit e të sferave të tjera: Ana Kolevica, Anastas Suli, Argjend Tafaj, Ardian Muço, Bedri Myderizi, Elmaz Çoçoli, Evan Koço, Enis Buletini, Fatos Hazizaj, Gëzim Kallçiu, Grigor Gjika, Gazmend Velçani, Gjergj Minga, Idajet Çoçoli, Idajet Farka, Kristaq Luarasi, Mihal Hanxhari, Mihal Hobdari, Mihal Tase, Mirush Strazimiri, Myzafer Janina, Pavllo Koja, Niko Leka, Sami Manehasa, Sezai Disha, Sitki Bushati, Vita Adami, Zija Shkodra.
Në fund të kësaj liste të gjatë, shtohej:
Shënim. Grupi i ngarkuar me rrjeshtimin e emrave sipas alfabetit të aderuesve në manifestin e 182 intelektualëve, për shkak të ngutjes ka lënë jashtë emrat e mëposhtëm. Kërkojmë ndjesë: Besim Elezi, Prof. Shef katedre; Manol Konomi, jurist; Myslim Islami, doc. Drejtor i muzeut; Spiro Qirko, Dr. kardiolog; Veli Zogu, Dr. kardiolog kirurg.
Po thirrje të tilla vinin edhe nga Kosova dhe mbarë diaspora shqiptare.
Në tubimin e Matit, 5 ditë para zgjedhjeve, Berisha e çmoi veçanërisht thirrjen e intelektualëve.
“Ai është një manifest që mishëron një porosi të madhe për demokracinë shqiptare nga ana e mendjeve më të ndritura të kombit tonë, – tha Berisha. – Historia nuk do të na e falë sikur të mos e dëgjojmë zërin e këtyre burrave të shquar, zërin e Saharovit shqiptar – Adem Demaçit, zërin e vëllezërve tanë në Kosovë e në mbarë diasporën”.
Në këtë kohë mbërriti nga Uashingtoni Elez Biberaj në rolin e vëzhguesit për zgjedhjet që do të zhvilloheshin pas 3 ditësh. Ai njihte mjaft njerëz në Tiranë, por më të shumtë ishin ata që e njihnin atë, që e ndalonin në rrugë, nëpër zyra etj. Ai ndihej i lumtur dhe, kënaqësia për rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve dhe në tërësi të punës së Zërit të Amerikës ishte e lexueshme dhe e justifikuar tek ai.
Nëpër mjedise të ndryshme, në mbledhje e konferenca shtypi, sa herë përmendeshin faktorët që ndikuan për shembjen e komunizmit në Shqipëri, ndër të parët do të renditej Zëri i Amerikësqë në këtë periudhë kishte një rekord dëgjuesish. (Është thënë se dëgjueshmëria e këtij radiostacioni në Shqipëri, sipas disa sondazheve, atëherë arriti në 85-90 për qind).
Ashtu si aktori apo këngëtari në skenë që shkrihet i tëri për duartrokitjet në fund të shfaqjes, ashtu dhe gazetari ndien kënaqësinë te masa e dëgjuesve apo lexuesve. Urimet që i japin atij çdo ditë njerëz të ndryshëm në rrugë, të njohur e të panjohur, e bëjnë me krahë, ia ngrohin zemrën. Veçse gëzimi i gazetarit është mjaft më i madh kur sheh se fjala dhe zëri i tij i është bashkuar një lëvizjeje të gjerë popullore, një revolucioni dhe ka triumfuar në emër të përparimit. Ky triumf i gëzimit të gazetarëve ka të bëjë me të ardhmen e një shoqërie a të një kombi të tërë. Sepse, në të njëjtën kohë te gazetari është njeriu i thjeshtë, punëtori dhe fshatari, është nxënësi dhe studenti, është shkrimtari dhe intelektuali, është artisti dhe burri i shtetit.
Zëri i Amerikës gjatë gjithë kësaj fushate, por edhe më parë, shumë kohë më parë, për dekada me radhë, këtë i kishte kumtuar me këmbëngulje popullit shqiptar: përmbysjen e komunizmit.
Megjithatë, një ditë para 22 marsit, pasi kishin reshtur tamburet e fushatës, kishte një qetësi të admirueshme në pritje të përmbysjes së paralajmëruar…