Deputeti socialist, komentoi 21 janarin dhe nisjen e hetimeve nga SPAK. Braçe thotë se SPAK duhet të bëjë një hetim gjithëpërfshirës për vrasjet e 21 janarit, duke e cilësuar një krim shtetëror të organizuar.
Për 13 vite, Braçe thotë se ka ngritur zërin për këtë çështje dhe se tani është radha e drejtësisë që të flasë. Ligjvënësi socialist shprehet se ka dëshmitarë dhe prova të reja për 21 janarin, që nuk janë depozituar se s’kanë pasur besim te drejtësia e asaj kohe.
“Ka shumë njerëz që kanë dëgjuar, regjistruar, që për vite me radhë kanë administruar prova të rëndësishme që do i nxjerrin pjesë-pjesë”, thotë Braçe.
Deputeti i PS thotë se SPAK duhet të bëjë thirrje për ata që zotërojnë prova për të bashkëpunuar dhe tu bëj thirrje disa personave që kane qenë personazhe kyç që të bëjnë bashkëpunëtorin e drejtësisë.
“Jemi 13 vite me vonesë, ky proces që po ndodh sot, nisja e hetimeve për krimin shtetëror të organizuar në 21 janar duhej të kishte ndodhur 13 vitet e shkuara. Duhej që prokuroria e asaj kohe dhe gjithë institucionet duhej ta kishin kryer atë hetim në atë kohë. Tani po veprojmë në bazë të vendimet të Strasburgu. Gjykata e Lartë ka vendosur mbi atë vendim. Për mua do të thotë fund, unë kam folur për 13 vite me radhë dhe kam kërkuar këtë që po ndodh. Sa kohë që kjo çështje është në SPAK, një organ i drejtësisë së re, tani u takon prokurorëve dhe dëshmitarëve të flasin për ngjarjen.
Jo vetëm kësaj gruaje që është një luftëtare, nëse çështja ka mbërritur sot në SPAK i dedikohet asaj dhe vajzës së saj, që s’janë tërhequr nga beteja për drejtësi. Kam parasysh si dëshmitar të gjithë ata që zotërojnë prova ende. Ka shumë njerëz që kanë dëgjuar, regjistruar, që për vite me radhë kanë administruar prova të rëndësishme që do i nxjerrin pjesë-pjesë. Do duhet që SPAK të demonstrojë vullnet dhe të ngjallë besueshmëri tek të gjithë ata që kanë zotëruar provat. Të bëjë thirrje për ata që zotërojnë prova për të bashkëpunuar dhe tu bëj thirrje disa personave që kane qenë personazhe kyç që të bëjnë bashkëpunëtorin e drejtësisë”, tha Braçe në Report Tv.
Për ish-zv.kryeministrin, opozita ka kaluar në gjendje halucinante, teksa bën edhe ironi për “kacafytje” mes tyre për hetimet e SPAK për 21 janarin.
“S’kanë pse kacafyten me njëri-tjetrin, të shkojnë të bëjnë dëshminë, çfarë dinë për njëri tjetrin, të shkojnë të japin dëshminë, janë personazhe të dorës së parë, ish-kryeministri, ish-ministri i Brendshëm, Meta ishte personazhi kyç pranë qeverisë dhe të dyve”, tha Braçe.
Braçe komentoi edhe zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë. Kandidaturën e opozitës Petro Gjikuria, e cilësoi anëtar të zëshëm të sillogjeve antishqiptare.
“Siç ky zotëria tjetër që është i njëjtët takëm, ky djali nga Himara që ka moshën e respektuar të një gjyshi, e që qenka kthyer. Ky anëtari më i zëshëm i këtyre sillogjeve antishqiptare. Siç ky po luan, po luan vërtet keq, se po ecën në të njëjtët gjurmë ku ka vënë gjurmë ai më para. Model antishqiptar i pastër”, vijoi Braçe.
Por, a ka shans të ketë një qeveri teknike, siç së fundmi është artikuluar nga opozita?
“Nuk, bëhet fjalë për të lëshuar pushtet në tavolinë. Artikulohet kur janë në opozitë. Kur janë në pushtet as duan të dëgjojnë. Nuk e shohim qeverinë teknike si zgjidhje të ndonjë problemi”, vijoi Braçe.
Hetimet e SPAK për zyrtarë të PS, Braçe i konsideron si detyrë të strukturës.
“Habitem pse edhe gazetarë dhe njerëz habiten me aktet dhe veprimet në përputhej të ligjit të organeve të reja të drejtësisë, me kë do merren, me ato që kanë administruar pushtet. Po bën detyrën dhe po merren me persona përgjegjës”, tha Braçe.
Erion Braçe ndërkohë e konsideroi seancë turpi sulmin që PD bëri ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani gjatë raportimit të tij për veprimtarinë e SPAK në vitin 2023.