Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto në një interviste për Top Channel, flet për hapat që do të ndiqen pas firmosjes së marrëveshjes për heqjen e ekskuzivitetit të TIA. Ministri theksoi se aeroporti i Kuksit, mund të jetë operacional brënda këtij viti. Ndërkohë së shpejti do të publikohet edhe një studim fizibiliteti për aeroportet në Jug, ku do të ketë një vlerësim profesional se ku duhet ndërtuar. Në lidhje me aeroportin e Kuksit, Haxhinasto theksoi se ka interes nga disa kompani që ofrojnë udhëtime me çmime të lira( low cost).
Cilat do të jenë hapat do të hidhni pas nënshkrimit të marrëveshjes?
Së pari do të formalizojmë këtë marrëveshje dhe besoj se do të jetë një proçes i përshpejtuar miratimi si në Qeveri dhe në Parlament. Përsa i takon operimit të aeroportit të Kuksit, janë disa mundësi që janë duke u shqyrtuar, një mundësi është që të operohet nga një njësi e specializuar në varësi të Ministrisë së Transporteve. Një mundësi tjetër, është që ti jepet me konçesion operatorëve, dhe kemi disa kërkesa prej tyre. Ne do të përzgjedhim mundësinë më të mirë, që do ti shërbejë rritjes dhe futjes në një operim sa më optimal dhe sa më të shpejt të këtij aeroporti.
Po kompani ajrore konkrete kanë shprehur interes?
Deri më sot është shprehur interes nga operatorë aeroportesh, por edhe nga kompani ajrore, veçanërisht kompani “low cost”. 2 kompani kanë ardhur e kanë vizituar aeroportin, e kanë inspekuar, dhe kanë qenë në pritje të hapit që ne e ndërmorrën për heqjen e ekskluzivitetit. Për tu pregatitur më pas në mënyrë më konkrete për përdorimin e këtij aeroporti, veçanërisht për kategorinë “low cost”.
Në lidhje me aeroportet e Jugut, çfarë po bëhet me këto projekte?
Ne jemi pregatitur edhe për këtë, ndërsa negociohej marrëveshja. Kjo ka ndodhur për aeroportin e Kuksit, kemi vlerësuar se ccfarë ndërhyrjesh kërkohen për ta vënë në gjendje operimi. Për aeroportet e Jugut, ne kemi punuar, kemi mobilizuar një fond nga disa institucione të lidhura me aviacionin civil në Shqipëri. Besoj se së shpejti do të kemi një studim fizibiliteti, që do të japi një gjykim të pjekur dhe profesional, se cili duhet të jetë aeroporti i parë ku duhet investuar në Jug, do të jetë Vlora apo Saranda, apo ndonjë vend tjetër. Mbas këtij studimi do të jemi në gjëndje të orientojmë më mirë këto investime qofshin private, por pse jo edhe ndonjë mundësi tjetër me fonde shtetëore.
Aeroportit i Kuksit, sa kohë do të kërkojë të fillojë operimi?
Rreth një vit më parë ne kemi bërë një vlerësim për kostot që kërkohen për të vendosur aeroportin në gjëndje operimi, dhe është konkluduar për një ndërhyrje prej rreth 3 milion eurosh. Ka nevojë për një rishikim të kësaj situate, dhe pastaj do të vendosim për ndërhyrjen. Ose do të administrojmë gjithashtu kërkesat që kemi patur nga operatorë të ndryshëm, ose do të vazhdojmë me para publike. Besoj se në një ecuri normale, aeroporti i Kuksit, duhet të jetë operacional deri në fund të vitit.