Nga Mero Baze/
Lulzim Basha është detyruar të thotë një gënjeshtër banale në emisionin “Top Story”, duke quajtur shfaqjen publike të deputetit Gent Strazimiri me pistoletë, si “falsifikim me fotoshop”. Ky ishte një qëndrim ekstrem që tejkalonte së paku mbrojten naive të Ristanit, që shkonte në ngatërrimin viziv të pamjes së pistoletës në “këllëf” celulari. Basha e zhduku tërësisht objektin.
Por, debati që ka shkaktuar pistoleta e Strazimirit, nuk ka të bëjë me me faktin a e kishte, apo nuk e kishte, pasi për këtë nuk dyshon askush. Debati tani kalon tek mbartësi i gënjeshtrës Lulzim Basha, dhe arsyeja përse atij i duhet të bëjë edhe si budalla, për të mbrotjur deputetin në këtë rast.
Nga afërsia politike, ai nuk ka një simpati për Strazimirin, me gjithë lepirjen e madhe të këtij të fundit për t’u dukur “sikur vdes për të”. Strazimiri ka qenë gjithmonë një person që identifikohej si aksesor i dikujt tjetër në PD, dhe nuk ka qenë kurrë dikush që çmohej për atë që ishte, por për atë që e përdorte. Një kohë ai ka qenë afër Olldashit, më vonë afër Topallit dhe pas zgjedhjeve të vitit 2013, kur ai pa që Berisha po mbështeste hapur Bashën, bëri akte kamikaze kundër Olldashit dhe miqve të tjerë të tij, që t’i hynte në zemër Bashës. Dhe fiks në takimin e parë të paqes mes Bashës dhe Olldashit pas zgjedhjeve në parti, Basha i kumtoi këtij të fundit se “nga i vetmi që kisha neveri që më mbështeste, ishte Strazimiri”. Është një gjest tipik i Bashës, kur do të të hyjë në zemër, duke të ngushëlluar.
Pra, politikisht Strazimiri nuk hyn tek rrethi i Bashës apo të besuarit e tij. As Berisha nuk e ka në rrethin e njerëzve që i beson, dhe ka një lloj bezdie prej tij, por për shkak të kësaj, Strazimiri gjithë kohën bën gjeste ekstreme t’i hyjë në zemër dhe t’i tregojë se “nuk ja ka me hile”.
Ai nuk është më as ndonjë i pëlqyer i Topallit, edhe pse kjo e fundit e ka tërheq zvarrë me autoritetin e saj brenda partisë deri këtu. Superlëpirjet e tij ndaj Bashës dhe qëndrimet skizofrenike, kanë krijuar një distancë të tij me rrethin që e ka mbështetur.
Por, le të kthehemi tek e vërteta. E vërteta është se Gent Strazimiri ka ende në zotërim një pistoletë pa leje të markës Heckler& Koch, dhe në dhjetëra foto të botuar në gazette, ka dhe kapelen promocionale të kësaj marke, ku shkruhet H&K, dhuruar nga importuesi i armëve në Shqipëri, i cili ka bërë dhe deklaratë në polici. Është e njëjta armë me të cilën ai u shfaq publikisht tek Liqeni dhe që nuk e ka dorëzuar.
Tani Lulzim Basha nuk e ndryshon dot këtë realitet për të cilin nuk ka debat më në Shqipëri. Lulzim Basha po bëhet qesharak, pasi siç ndodh rëndom, kur do të shpikësh kauza fallco, ndëshkohesh si lider fallco. Shpikja e një kauze fallco për të braktisur parlamentin për shkak të sherrit të Strazimirit me deputetin Prenga, amplifikoi teorinë e deputetëve me armë në Kuvend. E vërteta është se deputeti Prenga, u kap pas disa muajsh me një pistoletë, njësoj si Gent Strazimiri tek Liqeni. Të dy janë kapur me pistoleta pa leje. Prenga është nën akuzë edhe pse ka qëlluar me të, Strazimiri është i filmuar duke qëlluar policët me grushta, dhe po të mos i kishte dalë fotua me pistoletë online, dhe mund të kishte qëlluar.
Politikisht dhe publikisht, Lulzim Bashës i ka mbetur në dorë heroi i dekriminalizimit dhe kamikazi i kauzës fallco të tij. Është kjo arsyeja që ai detyrohet të bëhet qesharak dhe të shpikë dhe fotoshopin për të mohuar atë armë të cilën e kanë parë gjithë shqiptarët dhe që e bëjnë Lulzim Bashën edhe më qesharak, seç e kanë bërë rrjetet sociale dhe opinioni publik Strazimirin. Është rasti kur të ngelet heroi në dorë i dekriminalizimit, dhe ti detyrohesh të bësh një krim tjetër publikisht, duke falsifikuar faktet që ta mbrosh atë.