Ministria greke e Bujqësisë, në bashkëpunim me atë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Qytetarit, kanë vendosur lejimin e kultivimit të kanabisit industrial në Greqi. Vendimi u mor pas një maratone konsultimesh mes grupeve të interesit, si dhe parashikon vërshim të të ardhurave në ekonominë greke.
Sipas Ministrisë greke të Bujqësisë, për kultivimin e kanabisit do të licencohen menjëherë një numër fermash në të gjithë vendin. Kjo ministri sqaron se, fillimisht fermat do të certifikohen sipas standardeve të përcaktuara, e në vazhdim do të monitorohen prej ekspertëve të Ministrisë dhe ekspertëve të Antidrogës greke.
Bimet do të jenë të matrikulluara dhe i gjithë procesi do të monitorohet. Në vazhdim do të jenë industria farmaceutike dhe ajo ushqimore, që do të përpunojnë sasitë e kanabisit, për ta shpërndarë më pas në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.
Procesi do të fillojë menjëherë dhe pritet të hapë një industri të re në vend, ku përfitimet llogariten në dhjetëra milionë euro në vit, teksa do të ketë një numër të madh të punësuarish në këtë sektor. Ekspertët grekë të bujqësisë thonë se, klima greke është e përshtatshme për prodhimin e kanabisit dhe shprehen optimistë se, Greqia do të kthehet në një prej prodhuesve më të mëdhenj të kësaj bime në botë, transmeton TCH.
Llogaritet se, në Greqi do të investohet në teknologjinë prodhuese, por edhe atë përpunuese të kësaj lënde mjaft të rëndësishme për prodhimin e barnave medicinale, teksa klima mundëson rritje të shpejtë dhe me rendiment të lartë të kësaj bime.
Deri tani, prodhimi dhe kultivimi i çdo lloj kanabisi ka qenë rreptësisht i ndaluar në Greqi. Mijëra grekë janë dërguar përpara drejtësisë, nën akuzën e kultivimit të narkotikëve, edhe pse kanabisi industrial nuk konsiderohet drogë e tipit të rëndë.Pas ndryshimit të ligjit për kultivimin e kanabisit industrial, pritet edhe pushimi i çështjeve penale për fermerët e akuzuar.Në Greqi, jo pak politikanë janë shprehur pro lejimit të kultivimit dhe përdorimit vetjak edhe të kanabis sativës, por deri më tani nuk është mundësuar heqja e penaliteteve, sikundër ka ndodhur në Holandë, Kaliforni dhe shumë vende të tjera të botës.