Për gati një muaji, grupi i dialogut ka rënë në gjumë letargjik duke lënë në “harresë” reformën zgjedhore. 22 maji është takimi i fundit i 6 deputetëve socialistë dhe demokratëve, mbledhje në të cilën u njohën me dy aplikacionet e KQZ për regjistrimin dhe votimin e emigrantëve.
Mosdakordësia politike e deritanishme mes dy forcave politike kryesore në vend ka vënë në lëvizje partitë e reja jo parlamentare. “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapaj mblodhi 21 mijë firma të qytetarëve për t’ju imponuar në një farë mënyrë Kuvendit të Shqipërisë për të marrë parasysh kërkesa e tyre që lidhen me lejimin e votës së emigrantëve, Shqipëria një zonë zgjedhore dhe hapja e listave. Hallkën e parë të kësaj nisme, Lapaj, e kaloi me sukses. Pasi KQZ verifikoi nënshkrimet e shtetasve, Kryekomisioneri miratoi fletën tip, duke i dhënë të drejtën Lapajt që p/ligjin për ndryshimet në kodin elektoral ta depozitojë në Kuvend.
Tani mbetet në dorë të deputetëve të Parlamentit nëse ky dokument do të merret në diskutim nga grupi i dialogut apo do të pluhuroset në sirtaret e Kryesisë së Kuvendit.
Sipas kalendarit të miratuar nga ky grup punë, 1 korriku është afati i fundi që të depozitohet në Kuvend drafti i dakordësur për reformën zgjedhore. Oerd Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri kanë afat 10 ditë për marrëveshje në rast të kundër edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare emigrantët nuk do të mund të votojnë, ndërsa mbetet pa një zgjidhje çështja e herësit.
Shpërndarja e mandateve do të mbetet në dorë të drejtuesit të KQZ, Ilirjan Celibashi. Zgjidhja pritet të gjendet nga referimi në nenin 64, pika 3 të Kushtetutes.
Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumëemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.
Duke u bazuar pikërisht mbi këtë nen të Kushtetutës, Celibashi mund të mos e mbajë të gjithë përgjegjësinë mbi vete, por ta pasojë sërish “topin” në fushën e partive politike. Një nga skenaret e mundshme është që kryekomisioneri t’u kërkojë çdo kryetari partie një deklaratë me shkrim se si do që t’i shpërndahen mandatet e deputeteve të tyre, duke u lënë atyre dy opsione, ta lënë listën 100% të hapur ose të vendosin që të sigurojnë mandatet e 1/3 të besuarve të tyre./a2