Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është takuar, këtë të enjte, me dy nga pararendësit e tij në këtë post, ish-presidentin Alfred Moisiu dhe ish-presidentin Rexhep Meidani.
“Me Presidentin Moisiu dhe Presidentin Meidani në një bisedë miqësore dhe të frytshme”, shkruhej në një postim të Begajt në Facebook.
Më herët, presidenti ishte në Durrës, ku mbajti një fjalë përshëndetëse sot në Konferencën e 17-të të Shefave të Shtabeve të Përgjithshme të vendeve të Ballkanit, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të lartë nga NATO-ja dhe BE-ja.
Emri i presidentit u lakua gjatë paradites në sallën e Kuvendit, kur deputeti i opozitës, Gazment Bardhi, e quajti të turpshëm vendimin e tij për të dekretuar në postin e kryetares së Shërbimit Informativ Shtetëror zonjën Vlora Hyseni. Bardhi akuzoi se në krye të SHISH është vendosur një njeri i Edi Ramës dhe nga institucioni i inteligjencës jepen informacione për grupet kriminale.
/a.r