Publlikohen detaje nga dosje hetimore të dhunimit barbar të avokatit Sokol Mëngjesi.
Sikurse rezulton nga dosja, avokati kishte debatuar me Dritan Nanon pak ditë para se të dhunohej, ndërsa hap pas hapi shpjegohet se çfarë filmuan kamerat e sigurisë.
Për herë të plotë zbardhet dëshmia e Dorian Alisë që akuzohet si një nga dhunuesit, e po ashtu edhe e biznesmenit Arben Rreli.
Menjëherë më pas është krijuar grupi hetimor, i përbërë nga oficerë të policisë gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, ku pas kryerjes së veprimeve të para hetimore si dhe kqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe kqyrja e pamjeve filmike.
Pasi kanë realizuar qëllimin kriminal, personat në fjalë janë larguar në drejtime të ndryshme, ku Dorian Alia ka hipur në automjetin e markës Audi me targa AB696JT, drejtuar nga Romario Tabaku dhe është larguar.
Del dhe pranohet fakti se po për këtë shkak, disa ditë më parë avokati Sokol Mëngjesi ka patur një debat verbal të ashpër me Dritan Nanon, vjehrri i Dorian Alia dhe dyshohet se goditja që i është bërë avokatit Mëngjesi është organizuar prej këtij shtetasi.
Pamjet filmike
Nga administrimi dhe kqyrja e pamjeve filmike të “Kopshtit 31″, që fokuson pjesën e oborrit të këtij kopshti si dhe një pjesë e rrugës “Pjetër Bogdani” në Tiranë, ku ora në pajisjen regjistruese shënon 08:28 minuta, vërehet se nga ambientet e brendshme të kopshtit del Sokol Mengjesi, i cili ndalon përpara portës së jashtme.
Rreth një minutë më vonë vërehet se pranë tij, afrohen tre persona të cilët ushtrojnë dhune fizike, derisa ai rrëzohet më pas në tokë. Vërehet se dy prej autorëve mbajnë veshje me ngjyrë të zezë dhe me kapele në kokë, ndërsa personi i tretë i veshur me pantallona të bardha dhe me këmishë në dukje jeshile.
Pasi Sokol Mëngjesi vërehet se është rrëzuar në tokë, tre personat largohen me vrap përgjatë rrugës “Pjetër Bogdani” për në drejtim të rrugës Gjin Bue Shpata.
Nga shikimi e regjistrimeve filmike të subjektit privat “X…” vërehet se kur ora shënon 08.38 min (ora loklale 08.36 min), personi i veshur me pantallona të bardha dhe me atlete me ngjyrë blu, këmishë me ngjyrë jeshile dhe me kapele me ngjyrë të zezë, hipën në automjetin tip Audi A6 me ngjyrë blu të errët me targë AB696JT.
Nga tërësia e kqyrjes së regjistrimeve video rezulton se personi është Dorian Alia. Nga verifikimet e bëra rezulton se ky automjet është në pronësi të Romario Tabakut.
Më tej vijoj kqyrja e regjistrimeve video në itenerarin e lëvizjes së dy personave të veshur me rroba të zeza, të cilët vërehen teksa vrapojnë përgjatë rrugës Gjin Bue Shpata në drejtim të Lulishtes 1 Maj”. Këta dy persona të veshur me rroba të zeza janë fiksuar në regjistrimet video të marra nga kantieri I ndërtimit “E…” ku rezulton se hipin në një taksi te verdhë.
Këta persona janë identifikuar si Elton Kasaj, i cili hipën në vendin e parë të taksisë, dhe personi I dytë si Drivald Alia, I cili hipën në vendin e pasëm të automjetit taksi.
Dëshmitë
Biznesmeni Arben Rreli është një prej personave që është marrë në pyetje nga policia. Ai është djali i F.Rrelit, një nga trashgmitarët ligjore të trashgimlënësve Haxhi e Shaban Brari, për një sipërfaqe toke.
Ai ka shpjeguar trashgimtarët ligjorë në proces dhe se janë përfaqësuar nga avokat Sokol Mëngjesi.
Më tej Rreli shpjegon se: Duke qenë se shumë nga ne paditësit nuk kishim mundësi që të paguanim shpenzimet e avokatit, kemi rënë dakord me Sokol Mëngjesin, që në rast se gjyqi do të fitohej nga ana jonë (paditësve) 30 për qind e sipërfaqës se tokës do ti kalonte si kompensim avokatit për shërbimin e kryer. Në lidhje me këtë fakt, është hartuar dhe një akt marrëveshje e firmosur nga të gjithë palët.
Pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Apelit Tiranës, në 2018, Rreli pretendon se 5 pjesëtarë nga trungu i trashgimtarëve e kanë paguar avokatin sipas aktmarrëveshjes. Ndërsa 3 pjesëtare nuk iu përmbajtën aktmarrëveshjes dhe nuk i shlyen detyrimet ndaj avokatit.
Para rreth 10 ditëve Rreli shpjegon se e ka telefonuar avokati Mëngjesi dhe I ka kërkuar të takoheshin.
“U takuam me avokatin, afër zyrës së tij. Më tha se disa nga pjesëtarët e aktmarrëveshjes, kishin 6 vite që nuk i paguanin lekët. Më kërkoi që ti thërrisja dhe ti pyesja njëherë në lidhje me detyrimet që i kishin atij”, thekson biznesmeni.
Në dëshmi ai sqaron më tej, se 3 ditë para ngjarjes, ai e kishte takuar avokatin në zonën e ish bllokut në orët e paradites dhe se avokati i kishte shprehur shqetësimin se kishte takuar burrin e A.Nanos, Dritan Nanon dhe i kishte kërkuar shlyerjen e detyrimit, ndërsa Tan Nano i kishte thënë se nuk do ta jap detyrimin që kam. Avokati i kishte thënë atij se do ti drejtohet gjykatës për shlyerjen e detyrimit. Sipas Rrelit, në këtë bisedë të zhvilluar te kafe Roma, në Tiranë avokati Mëngjesi i kishte thënë se Tan Nano ishte i shoqëruar nga 3 persona të tjerë, të cilët ishin ulur në tavolinën ngjitur.
“Sokoli më tha se pasi i thashë Tan Nanos që do e çoja cështjen në gjyq, ai filloi të më bënte presion”, shprehet Rreli.
Tan Nano është bashkëshorti I A.Nanos, e cila është trashgimtare e D.Sheqeri, të pronave për të cilat është hartuar aktmarrëveshja me avokatin Mëngjesi.
Vëllai i Dorian Alias
Viktor Alia, vëllai i Dorian Alisë, një prej personave që dhunuan avokatin, u pyet po ashtu nga policia. Ai tha se i vëllai prej një viti, është i vetëpunësuar në një biznes privat.
“Në banesën time erdhën punonjësit e policisë, të cilët kërkuan vëllain tim Dorian Alia. Iu thashë që nuk jetonte me ne dhe ata më kërkuan të shkoja me ta në drejtorinë e policisë së Tiranës për të dhënë disa shpjegime.
“Deklarova se nuk kam asnjë lloj konflikti apo mosmarrëveshje me asnje person për asnjë arsye. Por mesa di vëllai së bashku me vjehrrin e tij, që quhet Dritan Nano, prej afro 7 ose 8 muajsh kanë një konflikt për një çështje pronësie me Sokol Mengjezin, i cili është avokat. Ky konflikt në dijeninë e time, ka nisur pasi vjehrri I tij ka hapur një gjyq me familjarët, pasi kishte pretendime pronësie në lidhje me një pronë, e cila ndodhet në zonën e Liqenit”, shpjegon vëllai I Dorian Alisë.
Ai shpjegon më tej, se cështja ka përfunduar se vjehrri I vëllait e ka fituar këtë gjyq dhe i është njohur një pjesë toke në vendin që thashë më sipër.
“Pasi ai ka dashur që ta shesë atë truall ka vënë re se kjo pasuri është e bllokuar në hipotekë nga avokati Sokol Mengjësi. Mesa dijeni kam unë ka patur pretendime për këtë pronë,pasi ai ka qene fillimisht avokat i tij, dhe pretendonte 30% të truallit”, thekson në dëshmi.
Dëshmitari shpjegon se ata kanë tentuar të bisedojnë dhe ta sqarojnë këtë mosmarrëveshje, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Ai tregon se vëllain tjetër Dorian Alia e ka takuar fizikisht 3 ditë para ngjarjes, në zonën e Gardës në Tiranës.
“Ai ishte ne shoqërinë e disa shokëve, kam qëndruar pak me ta dhe u largova. Që prej asaj dite se kam takuar. Kam folur më të, kur policia erdhi në shtëpi. Ai më mori nga një numër I panjohur dhe kur e pyeta cfarë kishte bërë se e kërkonte policia, ai më tha se ndodhej në Pogradec dhe se do të vinte në Tiranë ta sqaronte vetë situatën”, tregon ai.
Dëshmia e Dorian Alias
Dorian Alia, një prej dhunuesve të avokatit Mëngjesi ndodhet aktualisht nën masën e arrestit me burg. Pasi u vetëdorëzua, ai deklaroi se mengjesin e datës 29.05.2024 është takuar, rastësisht me avokatin Sokol Mëngjesi në rrugën Pjetër Bogdani. Ai shpjegon se ishte në shoqërinë e kushërinjve të tij, Elton Kasa që e ka djalë halle dhe Drivald Alia, djali I xhaxhait.
Ai thotë se në momentin që e pashë avokatin në trotuarin e këmbësorëve, i është afruar duke e thërritur në emër.
“Nuk e kam dëgjuar dhe ai më hoqi kufjet nga veshi dhe më ka bërë një lloj mimike në fytyrë, që donte të më trasmetonte se çfarë fare donte nga ai qe po i flisja”, thotë ai.
“Pasi Sokoli bëri atë mimike fytyrë, iu drejtova më fjalët: “Cfarë janë këto gjoba që më vendos mua dhe fëmijëve të mi”. Sokoli mu përgjigj me fjalët:
“Nuk te njoh fare””, shprehet i dyshuari.
Ai shton më tej, se duke qenë se Sokoli u përgjigj në një mënyrë shumë fyese dhe arrogante, ai e goditi vetëm njëherë me grusht në pjesën e fytyrës.
Pas goditjes Sokoli ështe rrëzuar në tokë. Pasi Doriani e ka goditur Sokolin, janë afruar dy kushërinjte e tij, të cilët ndodheshin në cep të trotuarit disa metra larg dhe Doriani u ka thënë “Hajde ikim”. Ata, nga paniku dhe nga te bertiturat e njerzve, jemi larguar me vrap.
Ai thotë se teksa largohej ka parë të parkuar mjetin tip Audi të një shokut të tij të lagjes, i cili quhet Romario Tabaku.
“Hipa menjëherë dhe i kërkova që të më çonte deri të Liqeni Artificial. Duke më parë në tension më pyeti cfarë ka ndodhur, por si tregova gjë”, tregon ai.
Më pas thotë se ka ndjekur nëpër portale gjendjen shëndetësore të avokatit Mëngjesi, të cilën thotë se nuk dëshironte që të shkonte deri ne atë faze.
“Duke qene se ky shtetas ishte në gjendje të mirë shendetësore dhe pasi u njoftova nga familjarët se në banesë kishte shkuar policia, kam biseduar me avokatin tim dhe I thashë se dua të dorëzohem ne Policinë e Tiranës ku dhe te jepja shpjegimet për cfarë kishte ndodhur” përfundon ai.
Në fakt, dëshmia e tij bie ndesh me pamjet filmike, pasi siç rezulton pasi e ka goditur avokatin, ai dhe dy kushërinjtë e tij i janë afruar dhe teksa Sokol Mëngjesi ndodhej i shtrirë në tokë e shkelmonin, në një kohë që ai nuk kishte mundësi të mbrohej. Avokati Mëngjesi ndodhet në spital në Athinë dhe ende nuk ka dalë nga koma.