Opozita vijon të këmbëngulë se do të ulet në tryezën e dialogut me mazhorancën pasi të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë linjë Basha paralajmëroi se opozita nuk do të jetë pjesë e reformës në drejtësi për sa kohë sipas saj të zbatohen vendimet e kushtetueses për mandatet e deputetëve që pakica i akuzon se kanë përfituar fonde publike.
“Duhen zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese që të ulemi në dialog politik. Sa i takon reformës i kam parashtruar komisionerit se opozita është më e interesuara që reforma të bëhet. Pa dekriminalizimin e politikës demokracia është seriozisht e rrezikuar. Dialogun për drejtësinë e ka ndalur mazhoranca. Kjo është çështje e shtretit ligjor, është dramë që shpaloset në çdo qytet të Shqipërisë. Ku vet kryeministri shkel ligjin duke dhunuar qytetarin, dhe nga ana tjetër po këta persona përfitojnë tendera, koncesione. Është një oligarki. Sot komisioneri ka marrë një pasyrë të plotë të gjendjes”, tha Basha.
Kreu i opozitës zbardhi për gazetarët edhe disa prej pikave kryesore që ka diskutuar gjatë takimit me Komisionerin Johanes Hahn.
“Prania e Komisonerit Hahn është moment i shkëlqyer për të biseduar rreth situatës dramatike që është sot në vend. Për zbatimin e dekriminalizimit nuk ka asnjë shans sepse Edi Rama i ka marrë dhe i ka zhvendosur në detyra partie të inkriminuarit. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që kërkon se çdo deputet që ka përfituar fonde publike duhet të trajtohet nga kjo gjykatë. Por mazhoranca nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Këto nxjerrin në pah natyrën dinamike të një regjimi banidtesk që nga njëra anë fusin në burg njerëzit që ngrenë një tjegull, dhe ndërtojnë pa leje në mes të parkut. Tregon edhe njëherë se ky regjim nuk ka asnjë respekt për ligjin. Çështja e Komisioneve Hetimore. Kanë bërë gjithçka për të penguar punën tonë hetimore. Pse nuk vihen para përgjegjësisë abuzuesit. Dhunojnë edhe një kusht tjetër të marrëveshjes së 24 dhjetorit, aprovimin e rregullave për funskionimin normal të komisioneve, nuk mund të bllkohen nga mazhoranca”, vijoi Basha.