Nga Blendi Salaj
Së pari le ta them si sqarim, kjo nuk është një reklamë e paguar, apo e papaguar (për miqësi) unë nuk e njoh pronarin e fermës agro turistike “Huqi”.
Por isha sot aty, si në një ditë gjysmë pushimi dhe mbeta me mbresa shumë të mira. Një vend ku ia vlen të shkosh. Ndodhet në Manëz, ndonja 30 minuta larg qendrës së Tiranës, 4 km pasi ke lënë autostradën Tiranë – Durrës për të shkuar tek Gjiri i Lalëzit.
Mësova se është hapur në maj të 2015 dhe është një restorant buzë një rezervuari, rrethuar me hardhi dhe ullinj, me ambiente shumë të pastra dhe të qeta.
Gatuhet shumë mirë, gjëra të thjeshta por të shijshme, dhe shumë nga produktet u blihen banorëve të zonës.
Ka djathrat tradicionalë të fshatit, sallatrat dhe mishin e pjekur në pus. Kjo është një metodë e Lindjes së mesme, por shumë interesante.
Në fund të “pusit” nja 3 metra të thellë ndizet zjarr që digjet deri sa bëhet prush. Pastaj në prush ulet një tepsi e thellë me nja 15 cm ujë në të. Pasi është ulur tepsia, varet në çengel mishi i qingjit apo kecit. Pastaj “pusi” mbyllet dhe vuloset me argjilë.
Uji i tepsisë avullon për ta mbajtur të butë, dhe dhjami që kullon nuk bie në prush për të bërë tym, por mblidhet në tepsinë.
Tjetër gatim special ishte zogu i pulës në pilaf apo qull, shumë, shumë i shijshëm. Më pëlqeu që ishte shumë pastër.
Restoranti është një konstruksion druri dhe xhami, që në verë hapet tërësisht. Nuk ka dysheme por është vazhdim i kopshtit me ullinj e portokalle. Madje disa pemë ndodhen brenda. Vend i mirë dhe për fëmijët, pasi mund të luajnë, ushqejnë peshqit, patat, dhe shohin lepuj, pula e pallonj.
Në foton e tretë do dalloni një Camping, i pajisur me prizat e korentit për rulotet. Mbajeni shënim, do ju pëlqejë.
Peshkupauje.com