Nga Arbi Kasapi/
Koburja e deputetit Gent Strazimiri është një shenjë që sqaron më së miri gjendjen në të cilën ndodhet opozita e sotshme. Një gjurmë që shpjegon karakterin simptomatik të opozitës dhe meqenëse disa deputetë të djathtë akuzuan median për inskenime, e rendit do ishte të përdorej një anekdotë që ka të bëjë me gazetarët.
“Pas një sërë kundërshtish për të mos bërë pushimet e merituara, Kryeredaktori i gazetës i përgjigjet kërshërisë së shumë reporterëve, se përse ai nuk e kishte me qejf të përfitonte nga 15 ditëshi e tij i pushimeve.
Kam frikë se po të largohem për disa javë, shitjet e gazetës do të bien… por më shumë më tmerron ideja se mos, me mungesën time, shitjet e gazetës nuk do të bien!”
Kjo është shenja, sëmundja apo simptoma nga e cila vuan opozita e demokratëve. Një gjurmë që shkakton shumë pështjellim, por që, në mungesë të po kësaj shenje, shqetësimi do të ishte edhe më i madh. Një katastrofë e vërtetë për atë që e vuan.
Protesta e fillimit të javës në parkun e liqenit nuk ishte një politikë e menduar taktikisht, por një veprim që tregon nevojën e pashtershme të trupit opozitar për të patur sa më shumë prezencë në sa më shumë pika të mundshme. Është po e njëjta sjellje si ajo e frikës së kryeredaktorit, se shitjet e gazetës nuk do të bien, edhe pse, Ai, mungon dhe nuk është në krye të punëve.
Nevoja për të qenë përballë qeverisë, qendrore apo lokale qoftë ajo, mbetet njëri nga tiparet më obsesionalë të kësaj opozite, e cila nuk mund të konceptojë dot një Tjetër që bën “detyrën” e saj.
Një përqasje e tillë ndaj problematikave që ka kryeqyteti dhe gjithë Shqipëria do e çojë opozitën në kushte krejt të pafavorshme. E një gjë e tillë u faktua në protestën e djeshme tek Parku Liqenit.
S’mund të jetë një politikë e mirëmenduar pasi taktikisht dhuna që u prodhua dje është një rezultante që domosdo do të prekë të gjitha çështjet e politikës së ditës. Përfshi këtu, jo vetëm reformën në drejtësi, por edhe të gjithë pozicionin që opozita ka ndërtuar në lidhje me dialogun me maxhorancën. Nuk do ishte çudi që, një shkrepëse, si kjo e “shamatave” të së hënës, të ndizte një polarizim të të gjithë skenës politike. Fundja, përherë kështu ndodh, kur përpara ka gjëra që peshojnë për nga rëndësia.
Kjo gjë do duhej ta bënte opozitën të mendohej dy herë, përpara se ta quante simtomën e vet (revolverin e famshëm të Gent Strazimirit) një hile mediatike apo një photoshop i zyrës së makiazhit të qeverisë… dhe të quante shkelje flagrante të ligjit, arrestimin e ish deputetit Babasi dhe një grupi simpatizantësh të PD.
Në këto kushte, mbetet vetëm të thuhet se demokratët janë ende në padijeni të simptomës, pse jo simptomave të tyre.
Së fundmi, një kritikë i duhet adresuar edhe qeverisë. Ajo, të paktën, do duhej ta nuhaste, se ashtu siç ndodhi me mandatin e deputetëve Suli e Leskaj, shumë mirë mund të dalin rrugës të tjera “kushte”. Një luks që qeveria qendrore dhe as ajo lokale nuk kanë xhepa për ta mbajtur me kohë të pacaktuar. Parlamenti nuk vijon normalisht prej mëse dy javësh. Parku, më shumë sesa një vend i projektuar për fëmijët, është kthyer në një arenë ku kacafyten burra e gra, me uniforma ose pa to. Dhe në të tilla kushte, ato që mbeten prezente, janë simptomat.