Futbollisti i njohur i “Barcelonës” Lionel Messi ka deklaruar se trajneri Frank Rijkaard është njeriu më i rëndësishme i karrierës së tij. Mesi ka fituar statusin e yjeve ndërkombëtar, në kohën e ekipit të udhëhequr nga Pep Guardiola, por debutimin e tij me ekipin e Barcelonës e ka pasur në fillim të vitit 2004, kur ekipi kishte në stol në “Camp Nou”, Rijkaard.
“Të gjithë trajnerët më kanë mësuar diçka, por Rijkaard është ndoshta trajneri më i rëndësishëm në karrierën time. Nëse nuk do më besonte dhe nuk do më vinte mua në ekipin e parë, ndoshta edhe tani nuk do të isha më këtu ku jam”, ka thënë Messi, cituar nga BETA.
Messi ka pranuar se atij i pëlqen futbolli anglez dhe ai italian, por tha se nuk e sheh veten në ndonjë klub tjetër, përveç në Barcelonë.
” Unë e dua futbollin anglez dhe italian. Ndjek ndeshjet e mëdha, por siç e thashë më parë, qëllimi im është të qëndroj në Barcelonë dhe ta përfundoj karrierën time këtu. Unë shpresoj se kurrë nuk do të më duhet të ndryshojë klub, por në futboll kurrë nuk i dihet. Gjërat ndryshojnë nga dita në ditë “, tha Mesi.