Nga Mero Baze
Propozimi i dy ditëve më parë nga kryeministri Edi Rama për një reformë të re antikorrupsion në administratën e shtetit shqiptar, u prit me mosbesim nga aktorët e përçarë të opozitës dhe me një reagim pozitiv nga Ambasada e SHBA në Tiranë.
Njësoj si me Reformën në Drejtësi, e cila u fut në shtratin e vet të saj kur mori mbështetje perëndimore, dhe reforma antikorrupsion ka shenja se do të ndjekë të njëjtën rrugë.
Por ndryshe nga Reforma në Drejtësi, kur palët ishin të qarta dhe opozita e bashkuar, problemi që do të hasë reforma antikorrupsion është se ajo do të duhet të mbështetet nga ata që akuzohen për korrupsion.
Ky problem kur u miratua Reforma në Drejtësi ekzistonte, por në mendjen e secilit politikan shqiptar ishte ideja, se pasi të miratohet, do ta kenë nën kontroll.
Koha tregoi se nuk e morën dot nën kontroll, por u kthyen në viktima të saj.
Sot dhjetëra politikanë të lartë socialistë janë nën akuzë, ndërsa Sali Berisha dhe Ilir Meta nën hetim për korrupsion.
Kjo e ka përçarë opozitën dhe po krijon frontin e rezistencës kundër Reformës në Drejtësi.
Në këto kushte, shumica në pushtet nuk e ka shumë të qartë adresën se në çfarë adrese duhet ta dërgojë kërkesën për mbështetje politike ndaj reformës antikorrupsion.
E sigurtë është se nëse SHBA dhe më pas BE hyjnë në këtë betejë, Parlamenti nuk do të ndahet më në opozitë apo qeveri, por një front anti-korrupsion dhe një front anti-reformë në drejtësi.
E thënë më qartë, do të kemi deputetë që do të duhet të votojnë reformën antikorrupsion dhe deputetë që do mbajnë veshur bluzat “Lironi Sali Berishën”, apo “Lironi Ilir Metën”, dhe do votojnë kundër.
Nëse shumica në pushtet e shtyn deri në atë pikë diferencimin brenda opozitës, atëherë ka shanse t’i japë vendit një reforme, e cila do të jetë gur themeli për anëtarësimin në BE.
Nëse Reforma në Drejtësi na hapi dyert e vendit kandidat për në BE, kjo reforme krijon sigurinë dhe besueshmërinë e administratës për një vend anëtar të BE.
Por ky Parlament nuk e miraton atë. Edi Rama e ka të qartë këtë histori. Po ashtu dhe SHBA. Askush prej tyre nuk do t’iu shtrijë dorën Berishës apo Metës për t’i marrë votën antikorrupsion dy njerëzve që po hetohen për korrupsion.
Beteja bëhet për Parlamentin e ri pas këtyre zgjedhjeve.
Dhe që ky Parlament të mos jetë peng i atyre që janë viktimë të reformës në drejtësi, është mirë që drejtësia e re të mos prodhojë vetëm viktima dhe të na i lërë nëpër këmbë, por t’i pastrojë nga politika, duke mos qenë pjesë e Parlamentit të ri.
Deri atëherë ka kohë të qartësohet dhe projekti i kësaj reforme dhe mbi të gjitha opozita dhe shumica që i duhet Parlamentit për ta miratuar atë.