Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu, duke folur në Kuvend për marrëveshjen e huasë me KFW për finacimin e projektit “Transporti i Gjelbër i Tiranës”, tha mes të tjerash se ambicia është që në vitin 2030 të rritet kapaciteti i udhëtarëve që përdorin transportin publik si një alternativë më e mirë e banorëve vendas dhe e turistëve. Gogu tha se Tirana sot përballet me të njëjtat pasoja e probleme të lëvizshmërisë që normalisht kanë edhe shumë qytete të zhvilluara europiane, si Milano, Berlini, Londra, apo Parisi.
“Ky nuk është një model eksperimental, por një model i transportit publik i provuar dhe që e gjejmë në qytetet më të zhvilluara të Europës, Amerikës dhe të Azisë, duke filluar nga Barcelona, Amsterdami, Praga, Çikago, apo Guangzhou të Kinës. Kjo marrëveshje me KfW që mundëson Transportin e Gjelbër të Tiranës, është mënyra më efektive për të zëvendësuar përdorimin e makinës duke rritur përdorimin e transportit publik si në qytetet e zhvilluara të BE-së duke sjellë reduktim të trafikut, mëpak ndotje si edhe më shumë lehtësi e barazi në lëvizje”, tha Gogu.
Në fund të fjalimit ai i kujtoi edhe kolegëve të opozitës këngën e Mireles që dikur kishte shkruar emrin e saj mbi autobusin e unazës.
“Mirela e vogël dikur bëri gabimin e pafajshëm të një fëmije që zhgarraviti me tebeshir emrin e saj në autobuzin e unazës. Dhe ju bë kënga. Kolegë mos vazhdoni fajin tuaj të zhgarravisni kudo. Tani jemi të rritur dhe siç thotë ajo fjala e urtë: Vetëm emri i budallait gjendet kudo i shkruar. Po bëni gabim të rëndë duke zhgarravitur Tiranën në shqip, në anglisht, edhe në rusisht po të doni. Mos vazhdoni të zhgarravisni këtë qytet. E vetmja zhgarravinë kreative është ajo bluja në mullaqen e një kali që protestonte” ,tha Gogu.
/a.r