Nga Ruben Avxhiu
Kjo fotografi është bërë popullore nga disa në internet dhe ndërkohë që nuk u sjell vërtet ndonjë ndihmë palestinezëve, shërben si apologji për Millosheviqin, dhe hedh dritë negative mbi shqiptarët në Kosovë.
Shqiptarët e Kosovës asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim të drejtën e Serbisë për të ekzistuar.
Po t’u propozohej zgjidhja me dy shtete do ta kishin marrë me vrap.
Nuk kanë rrëmbyer ndonjëherë civilë pengje, nuk kanë vrarë fëmijë serbë, nuk kanë përdhunuar vajza serbe – këto i ka bërë Serbia.
Shqiptarët nuk kanë vënë bomba në restorante e kafene serbe, nuk kanë hyrë për rë vënë bomba në Beograd e qytete të tjera të Serbisë.
Palestinezët janë të parët që nuk pranojnë krahasimin me Kosovën. Mendojnë se krahasimi i dëmton, se kauza e tyre mbështetet nga ligji ndërkombëtar kurse ajo e Kosovës jo.
Nuk do të shohësh ndonjëherë palestinezë me flamurin e Kosovës në profilet e tyre në rrjetet sociale dhe udhëheqësit dhe diplomatët e tyre e kanë bërë të qartë se do t’u rrinë besnikë aleatëve të tyre tradicionalë si Rusia dhe Irani.
As krahasimi mes Netanjahut dhe Millosheviqit nuk qendron. Njëri është udhëheqësi i zgjedhur i një demokracie, tjetri është një diktator që ka vrarë udhëheqës të opozitës, kishte monopolizuar median, kishte një shtet paralel gangsterësh.
Për këtë krahasimin e dytë nuk më plas shumë, por është gjithësesi një krahasim nga i cili ai që përfiton është Millosheviqi.
Në planin ligjor, e gjithë mbështetja ndërkombëtare për Kosovën që për fat të mirë përfshin shumicën e botës demokratike, bazohet në kushtin që ky është një rast i veçantë që nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si precedent për raste të tjera.
Bota është e mbushur me popuj shumë më të mëdhenj se shqiptarët (25 milionë kurdë), me territor të madh gati sa Europa (Tibeti) që nuk kanë mundësi të kenë shtetin e tyre. Vetë vendet e BE-së janë të mbushur me province që duan të shkëputen.
Pavarësia e Kosovës ishte një kompromis, një përjashtim i rrallë, një sukses që ende nuk është çimentuar.
Kjo këmbëngulja jonë që jo nuk jemi të veçantë, jemi si rastet e tjera, jemi si Palestina, për mua është ftesë për ta rihedhur çështjen e Kosovës në debat, në një kohë kur debate duhet të mbyllet, Serbia duhet të pranojë zgjidhjen dhe rajoni të ecë drejt normalizimit e jo të kthehet në një lloj Lindje tjetër e Mesme, me luftra që nuk mbarojnë.
Njerëzit nuk rrinë dot indiferentë ndaj konflikteve kjo kuptohet por mund të mbështesni Izraelin ose palestinezët pa qenë nevoja për të bërë krahasime me shqiptarët, serbët, Kosovën etj.
Përvojat mund të ngjajnë në pamje të parë por nuk janë njësoj.
Mund të thotë dikush edhe që Kosova është si Izraeli, se dy, pesë apo shtatë milionë milionë shqiptarë po përballen me sllavët që janë qindra milionë dhe më shumë se 20 shtete, ashtu si 7 miliomë izraelitë përballen me qindra milionë arabë në më shumë se 20 shtete arabe. Apo se të paktën Izraeli e ka njohur Kosovën, kurse Palestina mban anën e Serbisë.
Unë i mbaj mend protestat për paqe kundër NATO-s në 1999, që kërkonin paqe në Ballkan se reagimi ynë i natyrshëm ishte: po ku qenë këta njerëz gjithë këto vjet që u kujtuan për paqen tani që hyri NATO në Ballkan?
Unë nuk dua të jem alarmist, por as nuk dua të mos e marr seriozisht kërcënimin e hapur të Serbisë për ta rimarrë Kosovën me forcë. As nuk mund të injoroj pikëpamjen e shumë prej shteteve që mbështesin palestinezët por mendojnë se Kosova duhet kthyer nën Serbi. As armatimin e Serbisë, vonesën apo më saktë daljen e politikanëve serbë liberalë e me kurajo për të zgjedhur paqen dhe njohjen. Të gjitha këto të gërshetuara me nevojën e dëshpëruar të Rusisë për një front të dytë në Europë, për nevojën e Kinës për një vende të pakënaqura në Europë për të përmbysur raportet dhe zgjatur ndikmimin e saj, në nevojën e Iranit për një ndikim më global, e plot të tjera më bëjnë nervoz.
Siguria e Kosovës varet nga gatishmëria e botës demokratje me në krye Shtetet e Bashkuara për ta mbrojtur duke vënë në rrezik djemtë dhe vajzat e tyre ushtare të dislokuara në Ballkan. Në një kohë kur opinion publik në këto vende e sheh gjithnjë e me më shumë bezdi këtë angazhim, në një kohë kur opozitat nacionaliste të djathta në rritje janë gati ta revizionojnë politikat e të kaluarës, përfshi edhe Luftën e NATO-s në vitin 1999. Ka një arsye të fortë se pse pikërisht këtyre opozitave Serbia vazhdimisht ua paraqet Kosovën si Palestina e UÇK-në si Hamasi me shpresën për t’i manipuluar.
Asgjë nuk i mbush ekranet televizive dhe faqet e gazetave sa konflikti mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe është e natyrshme që shumë shqiptarë ashtu si shumë njerëz të tjerë në botë emocionohen, shprehen, e angazhohen. Është njerëzore.
Mirëpo, do të kisha preferuar që mos bënin krahasime pa vend, e të mos përdornin lidhje e simbole që në fund mirë që nuk sjellin ndonjë ndryshim a përmirësim në situatat në Lindjen e Mesme por rrezikojnë të keqpërdoren e të ndihmojnë ata që duan t’i sjellin në jetën tonë të përditshme në Ballkan, pikërisht ato tmerre dhe vuajtje që duam të mbarojnë në Lindjen e Mesme.