Nga Anesti Barjamemaj
Shqiptarët kanë nisur të provojnë rrobat e banjos me verën në prag, ndërsa Lulzim Basha ende nuk e ka mbyllur listën e kandidatëve që kishte thënë se do ta kishte gati në mars. I njohur për vonesat dhe shkeljet e afateve zyrtare në dorëzimin e emrave me të cilat futet në garë elektorale, këtë herë Basha kërkoi të mbyllte gojët e liga duke premtuar publikimin e listës gati një vit para kohe.
Kur marsi iku, u tha se sapo kishte nisur puna që pritej të mbyllej në prill, por përsëri realiteti kërkoi gjetjen e një tjetër justifikimi.
Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike zyrtare, Indrit Sefa, pranon për A2CNN problematikën por thotë se lista përfundimtare do të bëhet publike në një Kuvend Kombëtar, që nuk dihet saktësisht se kur do të mbahet.
“Në fillim të qershorit, ose në fund të majit do të bëjmë një Kuvend elektoral. Që do jetë Kuvend për caktimin e linjave politike dhe programit të PD. Në këtë Kuvend do kem parashtrimin e vizionit të PD, besoj do jenë dhe kandidaturat që do parashtrohen para qytetarëve dhe demokratëve”.
Njerëzit e Bashës kanë gati edhe shkarkimin e përgjegjësisë te Kuvendi, ku priten ndryshimet për Reformën Zgjedhore. Ndonëse shprehen prolistave 100% të hapura, vija e kuqe e vendeve të sigurta duket se vijon të jetë kriteri i pozicionimit të kandidaturave.
“Ne sot kemi akoma një paqartësi se si do të jetë Reforma Zgjedhore, a do jenë 100% të hapura apo me herës, siç janë pretendimet e palëve të tjera PS dhe Rithemelimi. Siç e dini ka dy lloj mënyrash për hartimin e një liste”.
Pavarësisht se afatet e përcaktuara nga ata vetë vijojnë të shkelen, Indrit Sefa garanton se PD nuk vuan për të gjetur personazhe, sepse ka një korpus prej rreth 400 kandidatësh që janë anëtarë të Këshillit Kombëtar.