Për provimin e shumëdebatuar të magjistratëve të rinj, opozita dhe mazhoranca kanë bërë lëvizje të ndryshme. Rithemelimi kërkon seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve me drejtorin e Shkollës më 8 maj, Arben Rakipi, e njëkohësisht paralajmërojnë edhe padi në SPAK.
“Partia Demokratike po përgatit padinë penale dhe do ta çojë në SPAK këtë skandal të rëndë që dëmton infrastrukturën e shtetit, dhe hedh në erë ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit. Ne kërkojmë gjithashtu verifikimin e procedurave të mëparshme të pranimit në këtë shkollë që kur Arben Rakipi është vënë në krye të Magjistraturës.
Prokurorit Rakipi dhe shërbëtorëve të tjerë të pushtetit u bëjmë me dije se, herët e vonë do të përgjigjen para ligjit për vrasjen publike që po i bëjnë një pushteti të pavarur në themel të një republike shqiptare të denjë për të qenë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Europian nesër”, tha Ivi Kaso i Rithemelimit në një deklaratë për mediat.
Por socialistët i mëshuan qëndrimit se Kuvendi s’mund t’i kërkojë llogari një hallke të pavarur të sistemit të drejtësisë, e përmes kryetares së Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka iu drejtuan me një kërkesë për informacion, lidhur me procesin Shkollës së Magjistraturës.
Në fazën e parë e testimit për prokurorët e gjyqtarët e ardhshëm një gabim teknik në pajisjes e korrigjimit “scantron”, rriti numrin e fituesve pas një korrigjimit manual në prani të kandidatëve, procedurë e cila është filmuar Duke hedhur hije dyshimi mbi procesin e provimit të magjistratëve të rinj, opozita ka nisur lëvizjet në disa fronte për ta kundërshtuar.
Pas kritikave publike dhe kërkesës në Komisionin e Ligjeve disa ditë më parë, 11 deputetë të opozitës kanë firmosur zyrtarisht një shkresë drejtuar Komisionit për të thirrur në dëgjesë Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi. Kësaj kërkese nuk i është bashkuar Enkelejd Alibeaj, i vetmi deputet i Lulzim Bashës në këtë komision.
Deputetët e opozitës kërkojnë që Drejtori dhe Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës të shpjegojnë paqartësitë e procesit para Komisionit të Ligjeve më 8 maj, në orën 10:00.
Por kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka, pas argumentit që i parashtroi në mbledhjen e fundit kolegëve të opozitës se Kuvendi nuk mund t’i kërkojë llogari një hallke të sistemit të drejtësisë që nuk varet nga Parlamenti, i është drejtuar me një kërkesë për informacion, lidhur me procesin Shkollës së Magjistraturës. Pasi të mbërrijë përgjigja për këtë kërkesë, Bushka pritet t’i njohë edhe deputetët e komisionit me përgjigjen. Ndërkohë për procesin e provimit të Magjistraturës Rithemelimi paralajmëroi sot edhe padi në SPAK./m.j