“Nëntë prokurorë njëherësh ikin. Unë nuk jam për një emërim automatik, apo vazhdim mandate automatik, port ë paktën t’i jepet mundësia që të rikandidojë edhe për një afat tjetër 9-vjeçar.”
Altin Dumani nuk është i pari drejtues i SPAK që paraqet këtë kërkesë. Edhe paraardhësi i tij në krye të Prokurorisë së Posaçme kishte shqetësim të ardhmen e prokurorëve pas përfundimit të mandatit. Pavarësisht insistimeve, as Parlamenti as partnerët ndërkombëtarë nuk kanë mbështetur idenë e një rikandidimi të prokurorëve të SPAK në përfundim të mandatit, duke konsideruar të mjaftueshme zgjidhjet e legjislacionit në fuqi.
Në dokumentin e Bashkimit Evropian që A2 CNN disponon, i cili i drejtohet grupit të punës për ndryshimet në ligjet e drejtësisë, i vetmi rekomandim i Brukselit lidhet me pozicionin e punës së këtyre prokurorëve pasi t’u përfundojë mandatin në SPAK.
“Është e arsyeshme që prokurorët specialë në fund të mandatit të tyre të caktohen në Prokuroritë e Apelit, meqenëse ata mbulojnë të dyja nivelet, shkallën e parë dhe Apelin. Për këtë mjafton referimi në Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.”
BE nuk pranon propozimin e Parlamentit që problematikat me anëtarët e KLP të zgjidhen nga vetë institucioni, pa kaluar në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese. Konflikti i interesit citohet si arsye.
“Propozimet synojnë të kufizojnë kompetencën e Gjykatës Kushtetuese në sjelljet disiplinore të anëtarëve të Këshillit gjatë ushtrimit të funksionit të tyre si anëtar i Këshillit dhe jo kur veprojnë si gjyqtarë apo prokurorë. Është e diskutueshme nëse kjo është e këshillueshme, pasi – edhe pse anëtari përkatës i Këshillit mund të tërhiqet, kur kolegët e tij/saj janë duke vendosur për rastin e tij/saj, ka ende një marrëdhënie shumë të fortë mes anëtarëve, gjë që mund të shmanget nëse ja lë Gjykatës Kushtetuese të vendosë për raste të tilla.
Ekspertët e Bashkimit Europian kërkojnë ndalimin me ligj të së drejtës për të dhënë mësim pranë Shkollës së Magjistraturës, të personave që nuk kanë kaluar vettingun apo nuk i janë nënshtruar këtij procesi.
“Duhet të bëhen ndryshime legjislative për të përforcuar integritetin e stafit pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës, duke siguruar që ish magjistratët e shkarkuar nëpërmjet vettingut ose që dhanë dorëheqjen para tij, nuk do të trajnojnë brezat e ardhshëm të magjistratëve.”
Këto komente të Bashkimit Europian kanë riaktivizuar grupin e punës me 4 deputetë të PS dhe PD së Rithemelimi, një vit pasi draftet iu dërguan Brukselit dhe SHBA, dy konsideruar si bashkautorë të reformës në drejtësi./a2