Babai irakian që humbi vajzën e tij shtatëvjeçare javën e kaluar në Kanalin Anglez në përpjekje për të shkuar në Britani, ka folur për BBC për humbjen e tij tragjike, duke thënë se “nuk do ia fal kurrë vetes”.
Ahmed Alhasimi kishte hipur në gomone me gruan dhe tre fëmijët e tij në jug të Calais, më 23 prill, me qëllim që të kalonin ilegalisht në Britani. Pak para nisjes, një grup migrantësh nxituan të hipnin në varkën tashmë të mbingarkuar. Momentet që pasuan ishin makth dhe rezultuan që 7-vjeçarja Sara dhe 4 persona të tjerë të shkeleshin për vdekje.
“Po i kërkoja të lëviznin që të shpëtoja fëmijën tim”, thotë sot 41-vjeçari për të riun sudanez, i cili ishte mes grupit të emigrantëve që hipën në varkë në minutën e fundit, duke shkaktuar tragjedinë. Megjithatë, ai fillimisht e injoroi dhe më pas e kërcënoi.
Megjithëse Ahmedi është irakian, vajza e tij nuk kishte shkelur kurrë në Irak . Ajo kishte lindur në Belgjikë dhe pjesën më të madhe të jetës së saj të shkurtër e kaloi në Suedi.
Alhasimi përshkroi për rrjetin britanik përpjekjet e tij për të shpëtuar vajzën e tij, trupi i së cilës ishte bllokuar në varkën e mbipopulluar, duke iu lutur emigrantëve të tjerë që ta ndihmonin. Gruaja e tij, Noor Alsaid, dhe dy fëmijët e tjerë, Rahaf 13-vjeçar dhe Hussam 8-vjeçar, ishin gjithashtu të bllokuar, por mund të merrnin frymë.
Sipas BBC , familja e Alhasimit kishte mbërritur në Calais dy muaj më parë dhe kjo ishte hera e katërt që ata tentonin të kalonin Kanalin anglez. Në raste të mëparshme, policia lokale kishte ndërhyrë dhe i kishte penguar.
Kësaj radhe trafikantët, të cilët paguhen 1500 euro për çdo pasagjer të rritur në varkat e tyre dhe rreth gjysmën për çdo fëmijë, u kishin premtuar atyre se varka do të transportonte vetëm 40 persona, kryesisht irakianë.
“Pashë kokën e saj në cep të varkës. Ajo ishte e mavijosur. Ajo ishte tashmë e vdekur kur e nxorëm jashtë. Ai nuk po merrte frymë”, thotë burri irakian duke qarë.
Familja e Ahmedit sot mbetet në Francë në pritje të lejes për të varrosur Sarën. Ai sot po i përgjigjet kritikave se ka vënë në rrezik familjen e tij për të hyrë ilegalisht në Britani. “Nuk do ta fal kurrë vetes. Por deti ishte zgjedhja jonë e vetme. Nuk doja të ndodhte por më mbaruan opsionet. Njerëzit më fajësojnë mua dhe më pyesin se si mund t’i vë në rrezik vajzat e mia. Por unë kalova 14 vjet në Evropë dhe ata më refuzuan ”, thotë 41-vjeçari.
41-vjeçari pretendoi se Belgjika refuzoi t’i jepte azil sepse Basra , vendlindja e tij në Irak, konsiderohet një zonë e sigurt.