Disa muaj pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht ligjin për studentët e mjekësisë, që i detyronte këta të fundit që për 5 vite pas diplomimit të mos largohen për të punuar jashtë vendit, qeveria ka reflektuar ndryshimet në ligj.
Argumenti i Gjykatës Kushtetuese se afati 5 vjetor është jo-proporcional, ka bërë që qeveria të propozojë që ky afat të ulet në 3 vite. Afati është ulur edhe për studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt, nga 3 vite që parashikonte ligji më parë, në 2, dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë, që ligji parashikonte dy vjet punësim të detyruar brenda Shqipërisë duke e ulur me një vit.
Ndryshimet në ligjin e hedhur për konsultim, zgjidhin edhe boshllëkun që sipas Gjykatës Kushtetuese kishte ligji, për studentët që shteti nuk i punëson brenda vitit pas përfundimit të studimeve.
“Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 (tre) muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 (nëntë) muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 (nëntë) mujore në institucionet shëndetësore publike.”- thuhet nw projektligj.
Ligji i ri për mjekësinë detyronte studentët e mjekësisë të lidhnin kontrata me shtetin, për të mos u larguar për punë jashtë vendit 5 vite nga përfundimi i studimeve, ndryshe do t’i duhet të paguanin vitin shkollor 2300 euro viti.
Ky ligj i miratuar me 21 korrik të vitit të kaluar me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim u kundërshtua me protesta nga studentët dhe u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në janar. Tashmë ndryshimet në ligj, pas konsultimit publik do të kalojnë në rrugë parlamentare në komisione e më pas në seancë plenare./shqiptarja.com