Nga Eduard Zaloshnja
Miliona turistët që po vijnë në Shqipëri gjejnë këtu plazhe mesdhetare, kuzhinë mesdhetare, kodra/male mesdhetare e kulturë mesdhetare – me një kosto më të ulët se sa në Itali, Greqi, Spanjë, Francë Jugore e Kroaci. Por këto vende u ofrojnë atyre edhe shumë histori. Sepse kanë me dhjetra vende historike në fondin botëror të kulturës të mbrojtur nga UNESCO.
Në Shqipëri, vendet më të famshme të mbrojtura nga UNESCO janë Gjirokastra, Berati dhe Butrinti. Mjafton t’i vizitosh këto vende tani në sezon turistik, dhe dëgjon më shumë njerëz që flasin gjuhë të huaj se sa shqip në qendrat e tyre!
Nga biseda joformale me disa operatorë turistikë, më rezulton se shumica dërrmuese e grupeve turistike që vijnë këtu kërkojnë paketa ku përzjehen disa ditë në plazh e male, me udhëtime drejt Gjirokastrës qindravjeçare, Beratit 2400-vjeçar, apo Butrintit 2200-vjeçar. Me fjalë të tjera, këto vende të mbrojtura nga UNESCO shërbejnë si kripë e piper në gjellën turistike mesdhetare që ofron Shqipëria.
Qeveria qendrore dhe qeveritë lokale duhet të investojnë më shumë se sa deri më sot për rregullimin dhe pastertinë e këtyre xhevahirëve të pakët historikë që kemi, në mënyrë që të rritet edhe turizmi cilësor në Shqipëri – jo vetëm ai masiv.
Më tej, Shkodra dhe Kruja, pavarësisht se nuk janë vende të mbrojtura nga UNESCO, po bëhen gjithnjë e më të kërkuara nga turistët e huaj, sipas bisedave joformale me operatorë turistikë.
Kalaja 2000-vjeçare e Rozafës, me pamjet mahnistëse rreth saj, po bëhet një magnet turistësh për në Shkodër. Një përmirësim i rrugës nacionale për në Shkodër dhe një investim modest në Kalanë e Rozafës mund ta bëjë atë magnet edhe më tërheqës.
Kalaja qindvjeçare e Skënderbeut në Krujë, si një ballkon mbi Adriatik, thjesht ka nevojë për një menaxhim më modern – nuk ke ç’ti shtosh apo riparosh asaj! Ndërsa rruga për në Krujë ka nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme, sepse kamionët e rëndë të guroreve e dëmtojnë herë pas here atë…
SHËNIM: Nga 1 janari deri më 30 prill, kanë hyrë me pasaportë të huaj në Shqipëri rreth 50% më shumë shtetas se sa në të njëjtën periudhë të një viti më parë