Inteligjenca është shumë komplekse për t’u zbuluar në testet që testojnë vetëm disa fusha, prandaj krahasimi i rezultateve është njëlloj si krahasimi i maratonës dhe sprintit. Rezultatet e testimeve të ndryshme të koeficientit të inteligjencës janë të parëndësishme në gjykimin se sa i zgjuar është ndonjë individ, ka treguar studimi i Universitetit kanadez Ontario i kryer në 100.000 njerëz.
Në këtë studim të testuarit kanë zgjidhur 12 teste të ndryshme të inteligjencës të cilët kanë përfshirë detyrat e planifikimit, konkludimeve logjike, kujtesës dhe vëmendjes, transmeton Koha.net.
Shkencëtarët në studimin më të madh të kryer ndonjëherë në temën e inteligjencës kanë përfunduar se si rezultati i testeve të tilla është i parëndësishëm sepse ato janë shumë të thjeshtësuara dhe jospecifike, shkruan Daily Mail.
Ajo çka e bën dikë inteligjent është tepër komplekse për t’u përfshirë në vetëm një test, shpjegojnë shkencëtarët të cilët kanë skanuar trurin e vullnetarëve derisa kanë zgjidhur testet.
“Nëse nuk arrini rezultate të mira në testet e inteligjencës, kjo tregon vetëm që jeni të këqij në zgjidhjen e tyre, dhe nuk flet përgjithësisht për inteligjencën tuaj”, ka theksuar udhëheqësi i studimit, Roger Highfield.
Ai ka krahasuar inteligjencën njerëzore me Olimpiadën dhe ka shpjeguar se si nuk mund të pohojmë që vrapuesi në njëqind metra është i përgatitur fizikisht më mirë se sa ai që garon në maratonë.
Njëlloj kështu, as ai që ka memorie afatshkurtër më të mirë ose që nxjerr konkludime më të shpejta nuk do të thotë që është më inteligjent se ai që ka nevojë për më shumë kohë për konkludime, por ka memorie më të mirë afatgjate ose gjendet më mirë në hapësirë.
Sipas testeve konvencionale, mesatarja e koeficientit të inteligjencës në shoqëri është 100, ndërsa shoqëria e njerëzve me inteligjencë të lartë Mensa në gjirin e saj pranon vetëm anëtarë me koeficient të inteligjencës më të lartë se 148.