Me gjithë deformimin e figurës së gazetarit dhe misionit të tij, ka ende, për fat, gazetarë në Shqipëri që në zemër kanë të vërtetën.
Këtë përshtypje të lënë investigimet, dokumentet, pamjet e “Crime Story” të Ferdinand Dervishit në Report TV. Rikthimi i pamjeve të tragjedisë së Piramidave mashtruese, jo vetëm na sjell në mendje pushtetin e egër kriminal që na drejtoi në atë kohë, por na kujton edhe si ishim ne dhe ku ishim. Nuk kanë më shumë rëndësi sot se çfarë thonin politikanët enkas manipulues të kohës, që me të drejtë Dervishi i risjell, por të vërejmë me kujdes se si ishim ne përreth tyre: aq të varfër, aq të padjallëzuar, aq mirëbesues me njerëz që na bënë thellësisht keq.
Ja pra se pse një shoqërie si e jona Gazetarët e Drejtë, ata pa vila nga veriu në jug e pa pasuri sfiduese ndaj shqiptarëve të mesëm e të thjeshtë, iu duhen si oksigjeni; edhe pse nuk janë “në modë” nëpër media sociale, nuk udhëtojnë në gjithë botën nëpër rezorte luksoze e nuk shtrojnë dreka e darka për t’u dukur babaxhanë, ndërkohë thurin plane në kurriz të Shqipërisë. Gazetarët që i shërbejnë vendit të tyre, ende nuk do t’i shihni të vlerësuar as edhe nga shoqatat e gazetarëve. Sepse këta gazetarë nuk kanë kohë të humbin drekave e darkave të paguara nga dikush.