Aktivistët e Iniciativës e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut së bashku me aktivistët e “Nisma Ime” kanë marshuar në kujtim të viktimave që janë gjetur në Batajnicë. Ata kanë ecur për të tërhequr vëmendjen e njerëzve në qendër të Beogradit, duke vazhduar deri në Batajnicë, diku 21 kilometra larg qendrës së qytetit.
Jovana Prusina nga “Nisma Ime” ka thënë se ata kanë zgjedhur ditën e shtunë ngaqë në këtë ditë 17 vjet më parë në Suharekë janë vrarë 48 persona, trupat e cilëve janë gjetur më vonë në Batajnicë, me rreth 700 trupa tjerë në një varrezë masive po në të njëjtin vend, transmeton Koha.net.
Prusina gjithashtu ka thënë se kjo çështje duhet të jetë temë e debatit publik, ndërsa drejtoresha ekzekutive e Fondit për të Drejtën Humanitare, Sandra Orloviq ka thënë se duhet të vendoset një memorial, aty ku është gjetur varreza masive. Kjo, sipas Orloviq, duhet të bëhet që të tregojnë solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre, duke shtuar edhe atë se skena politike nuk e pranon që “krimet që janë kryer nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë”.
Bashkë me organizatorë, në marsh morën pjesë edhe organizata “Gratë në të zeza”, Qendra për Studime Euroatlantike dhe drejtori i Zyrës Ndërlidhëse së Kosovës në Serbi, Valdet Sadiku.