Polemika të shumta ka shkaktuar “El Clasico” numër 3 në këtë sezon mes Real Madrid dhe Barcelonës. Episodet në favor të kryeqytetasve, duke penalizur katalanasit të paktën në dy momente, një gol fantazëm dhe penalltia e akorduar kundër tyre kanë lënë zhgënjim te Blaugranët. Trajneri Çavi Hernandez e cilëson si padrejtësi gjykimin, pasi në të kundërt tre pikët do të ishin për Barcelonën.
“Të gjithë e panë atë që ndodhi në fushë. Nuk ka nevojë për të thënë më shumë. Nuk duhet të heshtim. Është një turp. Ndjej padrejtësi të madhe kundrejt skuadrës sonë. Ndeshja nuk ishte e drejtë. Nuk mund të gënjej askënd, veçanërisht tifozët. Do të jetë e vështirë për të gëlltitur këtë humbje të rëndë. Kanë mbetur edhe 6 ndeshje e gjithçka mund të ndodhë. Nuk ka mbaruar ende”.
Tablo e ndryshme në sytë e Carlo Ancelottit, i cili përgëzon skuadrën pasi arriti të fitojë me meritë dhe pa favorizime.
“Ai episod nuk ishte gol. Topi nuk hyri brenda. Penalltia ishte e qartë. Tashmë kemi një avantazh të rëndësishëm, por nuk mund të dorëzohemi. Duhet të fitojmë shumë pikë dhe të përgatitemi për gjysmëfinalen e Champions League.
Edhe mediat spanjolle kanë qenë të ndara në dy kampe. Gol fantazëm dhe gjithçka u shemb është titulli i “Sport”, ndërsa Marca ka nisur festën, duke e cilësuar Real Madrid kampion virtual falë 11 pikëve diferencë.
“Ishte një gol” është titulli i gazetës “Mundo Deportivo”, që mbron hipotezën e Barcelonës. Pas kësaj fitoreje Real Madrid arrin të marrë avantazhin prej 11 pikësh me katalanasit në rrugën e duhur drejt titullit të 36-të kampion të Spanjës.
/a.r