Gazetari nga Amerika, Terry Anderson, i cili u mbajt peng për rreth 7 vjet gjatë Luftës Civile në Liban, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Anderson ishte korrespondenti kryesor për Lindjen e Mesme për “Associated Press” ku u kap për t’u marrë peng në vitin 1985 gjatë asaj që u njoh si “kriza e pengjeve” në Liban.
Lajmin e vdekjes së gazetarit të njohur e bëri të ditur vajza e tij, e cila tha se i ati ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Greenwood Lake të New Yorkut. E bija, Sulome Anderson tha se i ati kishte gjetur paqe vitet e fundit pas sprovës që kishte përjetuar për 7 vite.
“Asnjëherë nuk i pëlqente të quhej hero, por të gjithë këmbëngulën ta quanin atë. Megjithëse jeta e babait tim u karakterizua nga vuajtje ekstreme gjatë kohës së tij si peng në robëri, ai gjeti paqe vitet e fundit. Unë e di se ai kishte dëshirë të mbahej mend jo nga përvoja e tij më e keqe, por përmes punës së tij humanitare me Fondin e Fëmijëve të Vietnamit, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, veteranët e pastrehë dhe shumë kauza të tjera të pabesueshme”, tha vajza e tij.
Ai u takua me vajzën e tij, e cila lindi menjëherë pas rrëmbimit të tij, për herë të parë kur ajo ishte gjashtë vjeç. Pas lirimit të tij, Anderson dha mësim për gazetari në kolegje të ndryshme amerikane, përfshirë Universitetin Columbia në Nju Jork, përpara se të dilte në pension në vitin 2015. Anderson shkroi autobiografinë e tij më të shitur “Den of Lions”, ku dha detaje që përshkruanin kohën kur ai ndodhej në robëri.
/a.r