Nga Alba Malltezi
Është krijuar tashmë një refren i padrejtë dhe bezdisës për veshët e shqiptarëve, sikur drejtësia, aleatët tanë ndërkombëtarë, duan të “zhdukin” opozitën. Është një referen që nuk mund të ngjisë, që, ndyshe nga sa pretendohet, nuk mund të bëhet viral.
Nëse me “opozitë” nënkuptojmë antishqiptarët më të mëdhenj të këtyre viteve, atëherë, dikush mes nesh mund ta justifikojë litaninë që serviret. Flitet për korrupsion dhe në gjithë këto vite populli pret vetëm sa t’i vihet një emër e mbiemër luksit të tejskajshëm që ka parë dhe sheh mes politikanëve të vendit më të varfër në Europë. Nuk bëhet fjalë për pasuri të vënë nga një ide e tyre gjeniale. Sikur dikush pati një mendim, realizoi një sipërmarrje, hapi një biznes që u shpërnda në Shqipëri, Ballkan, në Europë e në mbarë botën dhe të gjithë bashkë mund të themi: Bravo u qoftë! Ata dhe familjarët e tyre nuk janë as Dua Lipa, as Mira Murati, as Rita Ora, as Anbeta Toromani, as Kledi Kadiu… apo të tjerë shqiptarë të zotët dhe gjenialë. Janë thjeshtë politikanë.
Pra, nuk bëhet fjalë për opozitën, bëhet fjalë për njerëz që zgjoheshin në mëngjes, e ndërsa shqiptarët shkonin në punë, vraponin për të çuar të afërm në spital, fëmijët në shkollë e të kursenin për fundmuajin, “opozitarët” tanë familjarisht mendonin se si të minonin Drejtësinë, si të kapnin gjithë fakultetin e Drejtësisë duke vendosur aty miq, shokë e servilë të denjë, si të kapnin gjithë shkallët e drejtësisë duke vendosur aty gjithashtu servilë, të paaftë, e njerëz që i kontrollonin si marioneta për çdo vendim me qëllimin për të mbrojtur veten nga ato zullume që fillimishit vetëm ata ia dinin vetes.
Ndërsa mbarë shqiptarët kërryseshin në hallet e ditës, rrethuar në mbeturina, mungesë uji e kanalizimesh, shkolla të shkatërruara, spitale plot lagështirë e të rrënuara, ata, “opozitarët” tanë flisnin me arkitektët se sa dhoma e banjo të bënin në vilat gjigande të ndërtuara në bregdetin e bukur dhënë me konçensionet e firmave të tyre.
Shqipëria dhe shqiptarët janë treguar tepër zemergjërë duke iu dhënë mundësi e mundësi të pafundme për t’u ribërë, për të reflektuar, për të hequr dorë nga grabitjet e nga dëmet e pariparueshme, por e kotë, askush nuk e pranon atë që është e qartë para të gjithëve: Nuk po goditet “opozita”, por vetëm shqiptarë që Shqipërisë dhe bashkëatdhetarëve u kanë bërë vetëm dëm dhe ata janë pasuruar.