Të ardhurat e qeverisë shqiptare për periudhën 2 mujore janar-shkurt 2016 ecën shumë më mirë se sa viti i kaluar, kryesisht si pasojë e “bazës së ulët të krahasimit”, por problemi i ri i qeverisë duket se është ngadalësia e kryerjes së shpenzimeve publike, veçanërisht investimeve kapitale, të cilat, për këtë periudhë qenë dy herë më të ulëta se sa vitin e kaluar.
Ministria e Financave publikoi sot me tre javë vonesë bilancin fillestar të buxhetit për muajin shkurt. Të ardhurat e qeverisë qenë 60.2 miliardë lekë, me rritje 14.5 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por shpenzimet e qeverisë qenë vetëm 50.2 miliardë lekë këtë vit, ose 12 për qind më të ulëta se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Shpenzimet korrente të qeverisë, ku përfshihen shpenzimet për funksionet bazë të qeverisjes si paga, pensione e interesa borxhi, u rritën me 4.5 për qind por rënia në shpenzime u shënua te zëri i shpenzimeve kapitale, ku përfshihen të gjitha investimet publike. Qeveria shpenzoi vetëm 1.7 miliardë lekë për investime gjatë këtyre dy muajve, nga 3.6 miliardë që qenë shpenzuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për rrjedhojë, buxheti i shtetit për periudhën janar-shkurt 2016, funksionoi me një suficit prej rreth 9.9 miliardë lekësh, nga një deficit prej 4.6 miliardë lekësh që qe në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Bazë e ulët krahasimi
Rritja e të ardhurave në periudhën dymujore janar-shkurt 2016 në masën 14.5 për qind i dedikohet para së gjithash efektit të bazës së ulët të krahasimit, pasi në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,sistemi elektronik i menaxhimit fiskal në atë periudhë nuk funksionoi siç duhet, gjë që e bëri të pamundur pagesën e taksave nga një pjesë e popullsisë. Të dhënat e detajuara të Ministrisë së Financave, të cilat përmbajnë statistika më të hollësishme dhe që zakonisht publikohen në datën 18 të çdo muaji, nuk janë publikuar ende për shkurtin për të dhënë një panoramë të plotë.
Problemi te shpenzimet
Qeveria aktuale ka shënuar probleme të konsiderueshme në ekzekutimin në kohë dhe sipas planifikimit të shpenzimeve publike, gjë që është vënë re dhe kritikuar edhe në raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku theksohet se kryerja e shpenzimeve buxhetore sipas programit ka rëndësi vendimtare në realizimin e rritjes ekonomike.
Ecuria shumë e keqe e programit të investimeve publike përgjatë viteve të fundit nuk ka qenë shqetësim veçanërisht i madh për shkak se në të njëjtën kohë, qeveria kishte një problem të rëndë në realizimin e planit të të ardhurave dhe moskryerja e shpenzimeve krijonte mundësi për të mbajtur deficitin në të njëjtat nivele. Por në kushtet kur plani i të ardhurave realizohet, siç ndodhi në dy muajtë e parë të këtij viti, mosrealizimi i shpenzimeve kthehet në një problem akoma më të rëndë. Aktualisht, qeveria disponon një sasi të konsiderueshme parash në formën e suficitit në masën e 0.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto vjetor vetëm për këto dy muaj, para që në rast se do të shpenzoheshin sipas planit, do të ndihmonin rigjallërimin e ekonomisë. BIRN