Inovacioni, teknologjia dixhitale dhe inteligjenca artificiale ishin në fokus të episodit të 12-të të sezonit të tretë të PodKastit “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, ku të ftuar ishin Denisa Kele, pedagoge dhe Kushtrim Shala, konsulent inovacioni, drejtues i Shoqatës Kombëtare të Teknologjisë.
“Bota tjetër” ishte tema që zgjodhi kryeministri për të trajtuar në këtë episod, ku nënvizoi disa nga përfitimet e Shqipërisë nga përdorimi i inteligjencës artificiale.
Në këtë drejtim, kryeministri nënvizoi se procesi i prokurimeve publike do të jetë tërësisht dixhital, ku do të bëhet kryerja e vlerësimit automatik të plotësimit të kritereve për kualifikimin e ofertuesve në fazën e parë të parakualifikimit.
Rama tha se te prokurimet e fondeve publike burojnë plot pasoja dhe aty buron edhe pjesa më e neveritshme e korrupsionit.
Sipas tij, “me modelin e inteligjencës artificiale, neutralizojmë këtë burim të madh qelbi dhe i kthejmë prokurimet publike në një proces transparent dhe të lexueshëm.
“Prokurimet që janë një problem që burojnë plot pasoja dhe nga ku buron edhe pjesa më e neveritshme e qelbit të korrupsionit. Bëjmë mijëra prokurime në vit dhe janë dhjetëra mijëra anëtarë komisionesh, njerëz persona që duhet të marrin pjesë. Të gjithë këta njerëz duhet të disponojnë dijen e nevojshme ligjore për atë gjë që po bëjnë. Nuk mundet dot ata njerëz që futen në ata procedura janë njerëz që bëjnë punë tjetër por futen në të procedurë”, tha ai.
Rama theksoi se me modelin e inteligjencës artificiale ne mund ta kapërcejmë komplet këtë gjë.
“Duke e kapërcyer komplet, s’kemi më nevojë për këtë konsum të madh energjish të bëjmë këto procese dhe nga ana tjetër neutralizojmë në një masë shumë të madhe atë burim qelbi. E kthejmë prokurimin e fondeve publike në një proces transparent dhe të thjeshtë dhe të lexueshëm. Tashmë ato të gjitha qindra mijëra veprime që duhet të bëjnë në këtë proces i bën algoritmi. Nuk është vetëm kjo plot gjëra të tjera janë të mundura dhe po punojmë në disa drejtime që të përdorim inteligjencën artificiale dhe për t’i dhënë vetes mundësi që nuk do të mund t’i imagjinonim”, tha Rama.
Për pedagogen Denisa Kele Shqipëria ka të gjitha kapacitetet që të kthehet në një shtet teknologjik.
“Kemi mundësinë të jemi një vend më ‘tecnofriendly’, e kemi kemi mundësinë për të pasur burimet njerëzore, për të qenë një shtet dixhital. Shqipëria mund të jetë një shtet teknologjik, i ka të gjitha kapacitetet e duhura për të qenë”, tha ajo.
/a.r