Nga Artur Ajazi
Djegia e një ndërtese historike sot në Sarandë, ishte simbolika më e shëmtuar e një realiteti, që nuk duhet toleruar më. Të digjet ndertesa me status “Monument Kulture” në mes të ditës, pa asnjë shkaktar natyror (por patjeter njerëzor) është e tmerrshme. Ai objekt, para 83 vitesh ishte konsullatë italiane në Sarandë, më pas (pas 1944) shërbeu për nevoja të pushtetit komunist, ishte një prej objekteve më të spikatura që u kujtonte sarandiotëve dhe jo vetëm atyre, ambientin ku janë zhvilluar dhe xhiruar filmat shqipetare, dokumentarë historikë, dhe shërbente edhe si objekt shlodhës në çdo stinë.
Objekti ndodhet mes qytetit, dhe për ironi të fatit, “askush nuk pikasi gjë nga erdhi zjarri”. Dëgjova një prononcim të Auron Tares në një prej mediave vizive, ku deklaroi se “rastësisht u gjenda në Sarandë, pashë gjithë ngjarjen, dhe ndjej keqardhje pafund”. Zjarri apo dhe marifete të tjera, janë kthyer në “modë” për ata ish-pronarë apo dhe marifetçinj që bashkëpunojnë me ata, për ti djegur pronat e tyre, dhe pastaj të ngrejnë atje kulla, apo dhe pallate kuturru.
Në botën e qytetëruar, kudo në Europë dhe më tej, objekte mbi 50 vjeçare, apo dhe objekte që kanë shënuar fakte historike, ruhen me kamera, policë, dhe janë të mbrojtura 100 per qind nga shteti. Të manipulosh dhe shfrytëzosh rastin dhe momentin se “shteti nuk të dënon”, dhe si ish-pronar apo si matrapaz pronar, ti vësh flakën një monumenti apo objekti historik, është më shumë se krim mjedisor apo penal. Këta barbarë që gjenden kudo, në çdo qytet ku ndodhen qendra historike monumentale, duhen ndalur me çdo kusht.
Ligji duhet ti ndëshkojë ashpër, dhe ti klasifikojë këta barbarë si “autorë të krimeve makabër”. Kodi Penal, ka sanksione t1% ashpëra ndaaj atyre që guxojnë të prekin pasurinë kombetare, ndaj atyre që duan të mbushin xhepat me para të pronave të tyre, duke fshirë nga memorja fakte dhe data historike. Bashkia e Sarandës, duhet të ishte më e vëmëndshme ndaj ekzistencës dhe ruajtjes maksimale të atij objekti, që mendoj se ka prishur dhe dëmtuar rëndë imazhin e një qyteti bregdetaro-turistik, që pretendon se duhet të presë në sezonin veror mijëra pushues nga vendi dhe bota.
Ajo godinë, ishte një ndalesë e veçantë për çdo pushues dhe turist vendas dhe të huaj, ndaj duhet gjetur një gënjeshtër e madhe tani e tutje nga ciceroni muzeve të atij qyteti, për ti thënë turistëve italianë, francezë, gjermanë apo dhe atyre vendas, se “çfarë ndodhi me ish-konsullatën italiane të viteve ‘30, që u fshi nga harta e monumenteve”…