EKSKLUZIVE JAVANEWS/ “Johan Cruyff ishte një njeri i madh, jam krenar që e kam njohur e kam punuar me të”. Këto janë fjalët e Arben Kasollit, ish-portierit nga Tirana, i cili në Holandë ndërtoi karrierën e trajnerit të portierëve, duke punuar, ndër të tjera, edhe në Akademinë e Fondacionit Johan Cruyff. Për një periudhë të shkurtër, më 1991, Kasolli ka qenë portier i tretë i Ajax Amsterdam, pas titullarit Menzo e Van der Saar, nën drejtimin e Louis van Gaal. Pasi vari dorezat në gozhdë, Kasolli mori licencën e trajnerit të portierëve në Holandë, duke punuar deri në klubin e Ajaksit, ndërkohë që tani është në Kosovë prej shtatë muajsh, pas punës në Arabinë Saudite.
Në Prishtinë ka ndërtuar Kasolli Goalkeeping Academy dhe aty ka mësuar edhe lajmin e vdekjes së legjendës së futbollit holandez, çka e ka hidhëruar së tepërmi.
“Më duket e pabesueshme. Ishte njeri shumë i mirë, i thjeshtë e gjithmonë qeshte. Nuk e kam parë asnjëherë të shfaqej arrogant, por gjithmonë ai Johan Cruyff i zakonshëm, që dilte rrugëve të Amsterdamit me biçikletë. Një humbje e jashtëzakonshme, për familjen e tij dhe gjithë futbollin, sidomos për të rinjtë”.
Kasolli tregon për punën në Cruyff Court Foundation.
“Sapo kisha mbaruar kontratën me Almere City dhe isha për dy muaj te kombëtarja U17 e Holandës, kur më ofruan punën te Akademia. Johani nuk më kishte parë, por i kishin folur të tjerë për mua. Ai kërkonte jo thjesht stërvitës portierësh, por edhe mësues që të merrej me edukimin e studentëve në Akademinë e tij. Kur në fund të vitit u zgjodha si trajneri më i mirë, Johani nuk ishte aty. E takova kur kisha shkuar te Ajax dhe më tha: Një shqiptar që bëri të pamundurën!”.
“Në kohën kur punoja në Akademi nuk shiheshim shpesh, pasi ai jetonte në Spanjë, ishte i angazhuar shumë me Barcelonën. Hera e fundit që e takova ishte para një viti. Unë isha kthyer në Amsterdam nga Arabia, ndërsa ai nga Barcelona. Shkova te Ajax për të parë një ndeshje të rinjsh dhe po bisedonim me Rene Stam (trajneri i portierëve të Ajax U21) Ronald De Boer e Brian Roy kur erdhi Cruyff e na takoi. Nuk kishte dëgjuar prej kohësh për mua dhe më pyeti se ku punoja ndërkohë. Kur i thashë që isha në Arabi, më tha “Holanda ka më shumë nevojë”, pastaj u ngjit në zyrat e klubit”.
“Për mua ka qenë një person i veçante që ishte i lindur si futbollist, analist, drejtues, kapiten, për çdo gjë”, thotë Kasolli. “Kur fliste Johan ishte sikur e mësoje gjithë filozofinë e futbollit. Shumë herë thosha me vete “sa e lehtë që është”, por në fakt ishte shpjegimi i tij. Më kujtonte atë shprehjen e tij të famshme në gjithë botën, që futbolli është i thjeshtë, por të luash thjesht është e vështirë”.
“Cruyff ishte si baba për të gjithë, komunikonte shumë lirshëm, jepte mendime pa doreza. Ishte edhe shumë kërkues, donte vetëm njerëz me vullnet, edhe pse nuk inatosej asnjëherë me njerëzit që punonte”.
Puna me Johan Cruyff do të ishte objekt krenarie për këdo dhe Kasolli është një i tillë. Nuk e fsheh aspak, sidomos tani që “holandezi fluturues” nuk është më, por vdekja e Cruyffit, veç hidhërimit, i ka lënë edhe një peng të madh.
“Sa herë që e kam takuar dhe asnjëherë nuk bëra asnjë fotografi me Johan Cruyff. Njeriut nuk i shkon kurrë mendja se çfarë mund të ndodhë dhe tani më ka mbetur vërtet një peng shumë i madh”, thotë Kasolli.
Dritan Ikonomi / JavaNews