Nga Aleksandër Çipa
Gazetari Zamir Dule, diku nga mesdita e kësaj dite, do të fshihet nën dhe. Shkon, duke lënë ndër të gjallë, emrin e tij si simbol i reporterit që udhëtoi me ambicien e fisme profesionale në atë kohë të 1997, por edhe me dramën e vet të mëpastajme…
U “martirizua” për lajmin dhe raportimin e thelluar të kronikës, duke tejkaluar vdekjen fizike, e cila e arriti, plot pas 27 vitesh, dhe pasi u përplas me të nëpër një kalvar spitalor dhe dashurie të vetme familjarësh e shumë pak miq e kolegësh.
Zamir Dule shkoi pasi iu ndal zemra e munduar, duke e qesëndisur sidomos pas vitit 1997, botën e vogël shqiptare të Shqipërisë, në mënyrën e tij.
E qesëndisi nga një pozitë e individit të lënduar keqas në shëndetin e vet mendor, por si një Ezra Paund në periferi, shkroi aq shumë gjëra me talent dhe mendje sqimatare për anormalët e shumë të shoqërisë dhe bashkëkohësisë së vet.
Në orët dhe ditët e fundit të jetës, pranë iu ndodh motra e vet me vëllain, të afërm dhe gazetari Bardhyl Gostnishti e një avokat, mik i nderuar.
Dhimbjen për ikjen e tij e ndajnë shumë e shumë të tjerë, por më të shumtë, janë lexuesit e tij të atëhershëm të “Koha jonë” dhe lexues të afërt që kanë patur rastin të njihen me një pjesë të dorëshkrimeve të tij.
Barrën e rëndë financiare të kurimit të tij të pasukseshëm në spitalion privat, edhe pse me lutje të ndryshme e kryesisht prej Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, e përballojnë dhe e kanë peshë të rëndë edhe pas kësaj, motra dhe vëllai i tij I shtrenjtë.
Zamir Dule ishte gazetar i lindur. Nuk iu shqit leximit edhe kur kishte dhimbje në mendje e në zemër.
Ishte mençurisht i heshtur dhe refuzues, kontestues dhe meditues për paqen e natyrës dhe gërmadhësinë e kësaj bote.
Jeta e Zamir Dules është më shumë se një histori dhe aq më tepër një rast tronditës për historinë e gazetarisë shqiptare në kohë të demokracisë hibride.
Korrespodenti i së përditshmes më të famshme të viteve ’90, gazetës “Koha jonë”, në Korçë, spikati për talentin raportues, për këmbënguljen, intelektin dhe sidomos pasionin kërkues dhe kurajon raportuese.
Në vitin 1994 botuesi Nikollë Lesi e afroi në Tiranë si reporter të parë të kronikës. Kulmin e vet të identifikimit profesional e arriti në vitin 1996 kur shkroi edhe librin e vetëm profesional ‘Përbindëshi i Tropojës'”.
Pasioni profesional i tij e tërhoqi nëpër një rrugë dhimbjesh dhe pasojash dhe aspak shpërblimesh.
Të vetmet shpërblime për këtë arsye, i pati pësime trupore, mendore dhe sociale. Nuk i ndau lëngimet me askënd dhe refuzoi të shfaqej si i viktimizuar, aq më tepër përçmues i ofertave keqardhëse.
Në kohën që vjen, Zamir Dule do t’u shfaqet protagonistëve politikë të tranzicionit shqiptar si një hije mundonjëse në mendjen e tyre të pandërgjegje. Pensioni modest i posacëm që iu dha nga qeverisja post ’97, mbetet e vetmja shenjë e pamjaftueshme respekti për kurajon e tij dhe trimërinë e pashoqe publike.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka humbur një koleg të dashur dhe të respektuar për shkak të bëmës së fisme profesionale të tij, për shkak të jetës së tij të ndërprerë profesionale, në detyrë dhe për detyrim publik.
Nga kjo lartësi morale shpirti i tij do të na sodisë prej kësaj dite e përherë. Do të na sodisë ne pjestarët e kësaj shoqërie duke na sfiduar me imazhin e qesëndisjes së tij që nuk u ngritëm dot nga pellgu ynë i anormalitetit mirënjohës e vlerësues.
Drita është me shpirtin tënd Zamir, hijet e gërmadhëshme janë në ndërgjegjen tonë të ardhme.