Takohemi pa qenë!
Nga Aleksandër Çipa
-I-
Baxhak i dashur, jam vetëm me veten.
Dhe imitoj të ulurën e dikurshme me ty.
Riprodhoj biseda dhe kujtesa më ndih,
Të gjej më të shkuarat në thellësi të viteve.
Rimërmëris rrëfenja në Gjirokastër ku s’jam,
Ato që bëmë në Qafë të Pazarit,
nëpër sokakë dhe në festivale,
( Si gjithmonë aty:Ti, Unë dhe Lushi),
Dhe për Mond Laçin kemi përherë kohë pranie).
Ndanë bar “Vjena” kalova në të sotmin zheg,
Hodha sytë mos të shoh duke e ditur se s’je.
Në takime të kujtesës kërkon rëndom njeriu,
Të rigjejë të ikurin si në mot të shkuar.
Dhe e vetme qenka kjo jetë në memorie,
që përsërit aq shpesh një të ngjarë.
Po sikur të mundeshim, të takoheshim rishtaz?!
Në kuvende të reja, në biseda shtesë,
në mëri dhe urime, të pangjara në gjallje.
Pa mundësi parjeje, pa u tokur si më parë!?!
…
U mbusha me vetmi dhe shikime të paqena,
Kalova urën e Lanës dhe te bar “Friends”,
Gjeta mungesën tënde të dukshme,
Të paasgjësueshme, si karrige e mbetur,
Ku ulet shikimi dhe mendimi me trisht.
-III-
Tos, mungesat u shpikën, apo i përcakton, pa rend, fati?
Ai që padukjen e ka veç për fis.
Klasikisht vihen njerëzit në sprovën e tij,
Në kujtesa të tilla që i çmoje fisnikërisht.
U mbusha me imazhe dhe dyzina mendimesh,
ktheva sërish, nëpër rrugicat e Bllokut.
Mungoje gjithkund,
Dhe gotat kudo prej lëngut ishin mangut…
U liga së brendshmi prej pikëllimës,
së jashtmi nuk e di, sa u mpaka edhe më!?
Mosqenia o Tos, për të dhembshur si ti,
Të djeg me shumë flaka dhe shpirtin ta vrënjt.
-IV-
Baxhak i dashur,
Sot nëpër Tiranë, u enda me veten,
Në kërkim të një filxhani dhe shikimi me ty.
Si në udhë shërbimesh
paske humbur dhe s’gjendesh…
Kujtesa-
i vetmi vend ku takohemi, pa u parë me sy.