Dritëro Agolli deri në fund të jetës vazhdoi të lexonte lajme, ishte shumë i informuar, kishte shumë merak për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare, rrëfeu në Dritare Tv nipi i poetit.
Emil Agolli tregon se në momentet kur poeti ishte i shtruar në spital, pyetja e fundit më 27 janar 2017 ka qenë lidhur me zhvillimet në vend, periudha kur Edi Rama dhe Ilir Meta po ndaheshin nga koalicioni.
“Gjyshi ka lënë shumë amanete, testament jo. Biseda e fundit që unë mbaj mend me të ka qenë nata e fundit para se të shkonte në spital. Ka pasur shumë merak për shoqërinë shqiptare se si po shkonte, rinia shqiptare në çfarë drejtimi po shkonte.
Mua dhe motrës vazhdimisht na thoshte që kujdes nga shoqëria, edhe pse qartë nuk fliste dot, truri nuk i furnizohej dot me oksigjen mjaftueshëm. Na thoshte vazhdimisht, kujdes, mos i besoni me personat që shoqëroheni, mos i besoni askujt që ju duket shumë i mirë.
Mendja e tij ishte gjëja e fundit që vdiq. Kur ne shkonim në spital ai nuk kishte televizor atje, por prapë ishte shumë në merak se si vazhdonte politika.
Në atë kohë ishte periudha që Ilir Meta dhe Edi Rama po ndaheshin nga koalicioni, dhe pyeste vazhdimisht se si po shkonin ngjarjet, cilat ishin zhvillimet. Dëshironte të ndiqte aktualitetin, të dinte çdo gjë, sidomos meraku i madh qe për të majtën shqiptare së cilës i përkiste”, tregon nipi i poetit./m.j