Çdo punonjës shëndetësie, që promovon përdorimin e qu-mështit artificial për foshnjat dhe fëmijët do të gjobitet me 50 mijë lekë, ndërsa në rast përsëritjeje me masën ‘largim nga puna’. Deri më tani për këtë shkelje këta punonjës, në shtet apo në privat gjobiteshin me një vlerë 10-fish më të ulët, ndërkohë që rritja e masave administrative parashikohen në ligjin e “Për nxitjen e dhe mbrojtjen e të ushqyerit me gji”, që ka mbërritur në Kuvend për diskutim. Po ashtu, ata do të marrin këto sanksione edhe në rastin kur pranojnë ose shpërndajnë mostra të këtyre produkteve si dhe kur pranojnë shpërblime, dhurata, kontribute nga një prodhues, shpërndarës ose çdo person tjetër i ngarkuar prej tyre. Ndër-kaq, ligji parashikon gjoba më të larta edhe për një sërë shkeljesh të tjera, që lidhen kryesisht me promovimin apo reklamimin e qumështit artificial. Ndërkaq, në tabelën bashkëngjitur shkrimit gjeni në detaje masat e reja administrative, që parashikojnë këto ndryshime ligjore.
Situata
Sipas Raportit të Monitorimit të Praktikave të Tregtimit të Zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit në Shqipëri, për vitin 2013 realizuar nga Qendra për Mirërritjen e Fëmijëve, Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë: “Kompanitë pro-dhuese të qumështit artificial, në kundërshtim me ligjin, reklamojnë produktet e tyre nëpër institucione shëndetësore, e shprehur kjo me shpërndarjen e dhuratave për mjekët, kampioneve falas për nënat, zhvillimin e seminareve të shpe-shta për mjekët, neonatologët dhe pediatrit, marrëveshjes me maternitetet private dhe nxitjes në pikat e shitjes, sidomos farmacitë”. Sipas këtij raporti, kompanitë përpiqen të depërtojnë nëpërmjet personelit shëndetësor, i cili përdoret si kanal komunikimi me nënat, për shpërndarjen e kampioneve falas dhe nxitjen e shitjeve të formulave.
Relacioni
Sipas relacionit, që shoqëron ligjin në Kuvend, shkak i këtyre ndryshimeve është nxitja e të ushqyerit me gji, si mënyra më e mirë për të ushqyer foshnjat, ulja e sëmundshmërisë, e vdekshmërisë foshnjore dhe amtare në të njëjtën kohë, si dhe për parandalimin e sëmundjeve të patransmetueshme, ku ushqyerja me gji konsiderohet si një ndërhyje me efikasitet të provuar për parandalimin e sëmundjeve kronike. “Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se kequshqyerja kontribuon për më shumë se një të tretën e treguesve të mortalitetit foshnjor. Përfitimet e qumështit të nënës për foshnjat janë aq të dukshme, kaq mirë të studiuara shkencërisht: ushqyerja me gji shpëton jetën e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, redukton kequshqyerjen, nxit shëndetin dhe zhvillimin dhe i siguron një jetë më të shëndetshme fëmijës në rritje”, thuhet ndër të tjera në relacion./GSH