Dialogu PS-Rithemelimi duket se po kristalizohet me caktimin e grupit të punës me nga 3 anëtarë nga secili krah për reformat që kërkojnë 3/5 në Kuvend. Në ‘Repolitix’ u diskutua mbi këtë aktualitet të ri të kuvendit dhe politikës.
Deputeti socialist Xhemal Qefalia tha se kaosin në kuvend këto muaj e krijuan ata deputetë që më parë ishin pjesë e grupit Basha dhe kjo për të marrë një lloj protagonizmi në sytë e elektoratit opozitar.
‘Normalisht mazhoranca ka obligimin të përgatis procesin zgjedhor në kushte normale. Mazhoranca që qeveris nuk duhet të hyjë vetëm duke vendosu me kartona. Komisioni bipartizan duhet të kryente në mënyrë normale punën e nisur prej saj. Por duke parë problemet e opozitës, vështirësoi punën. E gjithë gjëja u zhvillua që në vend të Enkeledit të ishte dikush tjetër. E gjithë kjo rrëmujë se cili do ishte protagonist për marrjen e vulës. Kishin divergjencat e tyre dhe kërkonin autorësinë nga kryetarja e Kuvendit. Protagonizmi kryesor ishte tek ata që u shkëputën nga zoti Basha. Donin protagonizëm që të ishin faktorë.’, u shpreh deputeti.
Ndersa gazetarja Danjela Maloku e shikon këtë dialog si fitore të opozitës.
‘Tregon se ka patur negociata. Ka patur edhe interes të shtuar ndërkombëtar për të futur të gjitha palët të përfaqësuara në tryezat ku negociohen reformat e rëndësishme. Ky grup tregon forcën dhe imponimin e opozitës bashkë me kaosin e këtyre muajve në kuvend dhe ka ardhur si pasojë e dialogimit dhe kërkesës së opozitës për tu përfshirë në reformat. E shoh si fitore nga ana e opozitës përfaqësimin e barabartë. Të gjitha reformat do jenë me dakordësinë e të gjithë anëtarëve. Secili do ketë të drejtë veto. Gazment Bardhi zbuloi emrat e tij. Çupi është nga deputetet e rreshtuar krah zotit Bardhi. Nisur nga realiteti politik ka qenë në linjën e zotit Bardhi në çdo vendim që ka marrë’, tha gazetarja.