Qeveria ka përcaktuar kriteret për zgjidhjen e plotë të çështjes së pronave në vend. Përmes 3 vendimeve të miratuara dje, është zbardhur tërësisht procedura se si do të trajtohen kërkesat dhe kompensimi për 26 mijë vendime që qëndrojnë në zyrat e Agjencisë së Pronave prej 20 vitesh. Brenda këtij viti qeveria do të ndajë 24 milionë dollarë për pronarët, ndërkohë që do të përdorë për herë të parë edhe variantin e kompensimit fizik. Me miratimin e VKMve, tashmë pronarët që nuk kanë pasur mundësinë të aplikojnë për të kërkuar të drejtën për pronën e tyre, do të duhet të çojnë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave kërkesën e shoqëruar me dokumentin origjinë të pronës dhe një hartë të pretenduar se ku gjendet ajo. Këto dokumente dorëzohen direkt në Agjenci, ose dërgohen me Postë, ndërkohë që pas këtij veprimi nis dhe trajtimi i kërkesës. “Shekulli” publikon të plota etapat dhe mënyrën se si do realizohet dëmshpërblimi i pronarëve.
30 ditë për dokumentacionin
Në rastet kur ATP-ja konstaton mungesë në dokumentacion, subjektit të shpronësuar i kërkohet plotësimi i dosjes përkatëse, brenda 30 ditëve nga çasti i marrjes së njoftimit për plotësim dokumentacioni. Plotësimet mund të bëhen për të gjitha dosjet e depozituara në ATP për shqyrtim përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji si dhe për kërkesat e paraqitura nga subjektet brenda afatit 90-ditor të përcaktuar në ligj. Ligji i ri i jep të drejtën subjekteve të shpronësuara, të pajisen nga Agjencia me vërtetimin përkatës për numrin e protokollit të dosjes së regjistruar, që tregon edhe datën e dorëzimit të kërkesës e të dokumenteve të tij. Pika 8 citon se, kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të cilat depozitohen nëpërmjet shërbimit postar dhe kanë mangësi në dokumentacionin shoqërues, gjë që e bën të pamundur vlerësimin e tyre, do t’i kthehen kërkuesit në adresën e dhënë, duke i kërkuar plotësimin e dokumentacionit në mënyrë të hollësishme. “Kërkesa, së cilës i mungon adresa e saktë postare, vlerësohet jo e mirëqenë dhe riaktivizohet vetëm me interesimin e kërkuesit pranë zyrave të ATP-së.
Si verifikohet prona
Në rastet kur dokumentacioni ka mangësi ose kur është i nevojshëm plotësimi i tij, ATP-ja kryen verifikimin dhe konfirmimin e dokumentacionit në institucionet përkatëse që e kanë lëshuar atë. “Dokumentacioni hartografik për pozicionin gjeografik të pronës, që i takon periudhës kohore sa më të përafërt me dokumentin ligjor, do të përpunohet nga inxhinieri gjeodet pranë ATP-së, pjesë e grupit të punës për shqyrtimin administrativ të kërkesës”, thuhet në pikën 11 të vendimit. Sa i përket verifikimit për pozicionimin dhe gjendjen faktike të pronës, si dhe përgatitjes së akt-verifikimit, ato nuk mund të bëhen pa praninë e kërkuesit.
Afatet për kërkesat
Për kërkesat e paraqitura për trajtim para hyrjes në fuqi të ligjit të ri dhe për ato patrajtuara me vendim, ATP-ja ka krijuar tashmë regjistrin e kërkesave pa vendim, bazuar në rendin kronologjik të aplikimit, bazuar në nivel qarku. Ndërkohë, brenda 90 ditëve do të nisë edhe procesin e njoftimit të subjekteve të shpronësuara për dokumentacionin që duhet plotësuar, në përputhje me kërkesat e përcaktuara me vendim të drejtorit të ATP-së. Agjencia, pas kontrollit, vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesave e të marrjes së vendimit, pajis subjektet e shpronësuara me dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kompensimit të pronës sipas rastit, kompensimin fizik brenda kufijve të pronës së njohur, kompensimin nga fondi i tokës apo kompensimin financiar të pasurisë si dhe të të drejtave të tjera reale.
4 mënyrat e kompensimit
Në rast se institucioni merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet në 4 mënyra. a) Prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit. b) Prona e kthyer vlerësohet sipas zërit kadastral aktual të saj dhe sipas zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit, duke llogaritur diferencën e vlerës, që do të rezultojë nga ndryshimi i zërit kadastral. c) Kur nga vlerësimi rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së. Pozicionimi i pronës pas vlerësimit do të kryhet nga grupi i punës. ç) Në rastet kur evidentohen mbivendosje të pronave të pretenduara për njohje dhe kompensim, palët mund të zgjidhin rastin me mbivendosje me marrëveshje ose në rrugë gjyqësore. ATP-ja vijon procedurat për njohjen dhe kompensimin e pronës për pjesën që nuk ka mbivendosje.
Situata
23 mijë ha tokë bujqësore, është sipërfaqja e matur, për të cilën do të bëhet kompensim fizik për ata që e kanë të zënë tokën. Kompensimi fizik aplikohet për herë të parë që nga koha kur u hartua ligji i parë për kompensimin e pronës. 24 milionë dollarë është fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për kompensimin e pronarëve për vitin 2016. 26 mijë vendime, të cilat kanë mbetur në letër për më shumë se 20 vjet, fillojnë nga nesër vlerësimin dhe pagesën me këste për 10 vitet e ardhshme. 11 mijë qytetarë kanë aplikuar në vite në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nëpërmjet dosjeve për të marrë pronën e tyre, dhe nga sot do të zbardhet informacioni dhe vendimi për secilën kërkesë. 4000 pronarë janë gjendur përballë situatës së ndërtimeve pa leje në trojet e tyre dhe për ta do të vijojë kompensimi me këste deri në masën 100 për qind. Deri më tani ata kanë përfituar 5 këste, ose 70 për qind të shumës që u takon dhe qeveria mendon që brenda këtij mandati të japë dëmshpërblimin e plotë. Pagesa e këtyre pronarëve varet drejtpërdrejt nga procesi i legalizimeve.
Formula për ndarjen e lekëve, 6 mënyrat
Në vendimin e marrë dje, qeveria ka përcaktuar edhe rregulloren se si do të shpërndahet fondi financiar fizik për kompensimin e pronave. Kështu, të gjithë subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht. Gjithashtu me plotësimin e ligjit të ri, atyre u jepet e drejta të hyjnë në ankand për fondin e tokës.
Paratë
Agjencia e Trajtimit të Pronës do të bëjë vlerësimin financiar për të gjitha vendimet përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimit, dhe kjo do të bëhet sipas rendit kronologjik, ku përparësi marrin vendimet e hershme. ATP-ja, për efekt të kompensimit të vendimeve përfundimtare, i vlerëson financiarisht ato, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës, të përkufizuar në ligjin e ri, duke proceduar, sipas 6 mënyrave.
a) Vlerëson financiarisht pronën e njohur për kompensim, në bazë të zërit kadastral që ka patur prona në kohën e shpronësimit, duke u bazuar në hartën e vlerës;
b) Vlerëson financiarisht pronën e kthyer, duke përcaktuar diferencën që do të rezultojë ndërmjet vlerës së saj sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.
c) Vlerësimit financiar të pronës së njohur për kompensim i zbret diferencën që do të rezultojë nga vlerësimi financiar i tokës së kthyer apo kompensuar fizikisht në tokën e njohur, sipas 2 procedurave: i. Nëse vlerësimi financiar i pronës që është njohur për kompensim është më i madh se vlerësimi financiar i tokës së kthyer ose kompensuar fizikisht në tokën e njohur, atëherë subjektit i kompensohet diferenca; ii. Nëse vlerësimi financiar i pronës që është njohur për kompensim është më i vogël se vlerësimi financiar i tokës së kthyer ose kompensuar fizikisht në tokën e njohur, atëherë subjekti konsiderohet i kompensuar.
ç) Për vendimet që kanë njohur vetëm të drejtën për kompensim, vlerësimi do të bëhet në bazë të zërit kadastral që ka patur prona në kohën e shpronësimit, sipas shkronjës “a”, më sipër.
d) Zëri kadastral i origjinës së pronës përcaktohet duke u bazuar në dokumentacionin ligjor të administruar në dosje ose, në mungesë të përcaktimit të këtij të fundit, për përcaktimin e zërit kadastral do të përdoret harta që është më e afërt me kohën e shpronësimit.
dh) Vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar që ka njohur të drejtën e kompensimit bëhet duke marrë si referim zërin kadastral, sipas origjinës së pronës që ndodhet më afër pronës që do të kompensohet.
Fondi
Sipas pikës 3 të këtij vendimi, i cili sqaron procedurat për shpërndarjen e fondit financiar dhe fizik, kompensimi i tyre është programuar në bazë të afateve, por edhe të ankesave në Avokaturën e Shtetit. Kështu, kompensimi bëhet në rast se brenda afateve ligjore, nuk ka pasur ankim nga subjektet, kur këta të fundit dhe Avokatura e Shtetit bëjnë deklaratë se nuk do të bëjnë ankimim dhe kur është marrë vendimi i prerë i Gjykatës për rastet e ankesave. Subjektet, , kanë të drejtë të aplikojnë për kompensim, nëse disponojnë një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht dhe nëse Agjencia i kompenson ata sipas rendit kronologjik, edhe në këtë rast.
Pika 18 citon se “të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar nga fondi, deri në masën 50 milionë lekë dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës. Në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar për tokën truall rezulton se pjesa e mbetur është deri në 5 për qind më e madhe se vlera 50 milionë lekë, atëherë subjekti kompensohet për të gjithë vlerën. Në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar rezulton se pjesa e mbetur është më e madhe se 5 për qind mbi vlerën 50 milionë lekë, atëherë subjekti, për diferencën mbi 50 milionë lekë, kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës”, thuhet në vendim./Shekulli