Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, pritet të takohen nesër në Bruksel me ndërmjetësimin e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Lajçak në një postim në platformën “X” ka bërë të ditur se në mesin e temave që do të diskutohen në takim është edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesa me para të gatshme.
Në takimin e fundit që kryenegociatorët e të dy vendeve zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut në Bruksel mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit, palët u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.
Ky është takimi i dytë që po e organizua nga BE-ja për çështjen e dinarit. Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt, por përfundoi pa rezultate konkrete. Kosova refuzoi që të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideroi që dinari nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut.
Kurse sa u përket propozimeve rreth zgjidhjes së problemit, autoritetet e tona përveçse hodhën poshtë propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënvizuan se nuk shkojnë përtej asaj që tashmë është miratuar.
Kryeministri Albin Kurti, garantoi gjatë fundjavës , se nuk do të pranojë propozime që dalin jashtë kornizës rregulluese të BQK-së.
/a.r