Pas dakortësisë së arritur midis maxhorancës dhe opozitës për Byronë Kombëtare të Hetimit, një tjetër dakortësim mes palëve duket se është afër, në lidhje me Këshillin e Emërimeve.
Në dalje të mbledhjes me dyer të mbyllura deputeti demokrat Eduard Halimi tha se diskutimet mes palëve për të paktën 10 çështje të ngritura nga opozita kanë qenë të mira dhe racionale.
“Pati një diskutim racional mes anëtarëve të komisionit, por mbledhja u ndërpre për një pushim dy-tre orë dhe do të vazhdojë në ora 18:00 me diskutimin e çështjeve politike, mes të cilave ka dhe çështje teknike që varen nga zgjidhja politike e tyre. Për këtë, ekspertët e misioneve EURALIUS dhe OPDAT, që ishin të pranishëm gjatë gjithë kohës në mbledhje, për të mbajtur shënime, në ditët në vijim do t’i japin zgjidhje çështjeve që ngrihen nga zgjidhjet politike”, tha Halimi.
Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi nisi paraditen e sotme dialogun politik për çështjet e mbetura pezull pas miratimit të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias për paketën e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese.