Tërmet në Federatën Spanjolle të Futbollit, që këtë të mërkurë është marrë nën kontroll për disa orë nga Policia Spanjolle. Shkak është bërë një bastisje për të gjetur dhe sekuestruar dokumentet e marrëveshjes që ndryshoi formatin e Superkupës së Spanjës dhe dërgoi atë në Arabinë Saudite për 5 vite.
Bëhet fjalë për një marrëveshje të firmosur nga ish-presidenti Luis Rubiales në vitin 2020, teksa e përfshirë është edhe një kompani e drejtuar nga ish-mbrojtësi spanjoll i Barcelonës, Gerard Pique.
Policia spanjolle dyshon marrëveshja për Superkupën e Spanjës është korruptive, e keqadministruar dhe e [përdorur për aktivitete të pastrimit të parave, teksa janë arrestuar 6 persona dhe janë nën hetim edhe pesë të tjerë.
Media në Spanjë bën me dije se mes personave nën hetim është edhe ish-presidenti Rubiales, i cili u largua disa muaj më parë, pasi u përfshi në një skandal duke puthur në buzë kapitenen e Spanjës për femra, Jenni Hermoso, pa konsensusin e kësaj të fundit, gjatë festimeve për triumfin në Botërorin e Femrave.
Aktualisht Rubiales mësohet se është në Republikën Domenikane, ndërsa policia spanjolle ka bastisur edhe shtëpinë e tij në Granada, duke marrë disa dokumente që lidhen pikërisht me marrëveshjen për Superkupën në Aabinë Saudite.
Mes 6 personave të arrestuar figuron edhe një njeri i besuar i Rubiales, i cili ka shërbyer si konsulent ligjor i jashtëm në Federatën Spanjolle të Futbollit, e cila vijon të jetë e trazuar që prej skandalit të verës së kaluar me kapitenen Hermoso.