Nga Mero Baze
16 vjet pas tragjedisë së Gërdecit, drejtësia shqiptare e cila me pare çliroi nga akuza për vrasje biznesmenët dhe përgjegjësit e fabrikës vdekjeprurëse të Gërdecit, ka shans te rinisi përpjekjet për të çuar para drejtësisë përgjegjësit politikë të kësaj masakre.
Fatmir Mediu, njeriu që shtyu para këtë biznes vdekjeprurës përmes djalit të kryeministrit Sali Berisha, tani ka rinisur proesin gjyqesor pasi u mbrojt 15 vjet me mandatin e deputetit.
Historia e fshehjes së këtij krimi ka nisur pak minuta pas tragjedisë në zyrën e kryeministrit Sali Berisha. I njoftuar për tragjedinë, ai ka nisur me kujdes fshehjen e provës së parë dhe më të rëndë kundër tij, praninë e baxhanakut të vet, tashmë si viktimë në këtë tragjedi. Komunikata e parë për shtyp e tij përmendte emrin e baxhanakut, por të ndryshuar, nga Muhamet Hoxha në Mehmet Hoxha. Në pamjen filmike të transmetuar publikisht dhe të lexuar me zërin e tij vërehet një pauzë para se të përmend emrin dhe me qetësi e lexon Mehmet në vend të emrit Muhamet.
“Deri tani janë identifikuar emrat e 3 viktimave: Rajmonda Tudi, 40 vjeç, Mehmet Hoxha, 59 vjeç, Jetmir Kolloshi, 19 vjeç, ndërsa dy nga viktimat janë ende të paidentifikuara. 4 prej tyre janë gjendur në vendin e shpërthimit dhe një tjetër më tutje. “
Përpjekja e tij që në momentet e para të tragjedisë për ta devijuar të vërtetën larg tij dhe familjes se tij, ishte dhe mbeti linja politike qe po varros ketë të vërtetë.
Këtë “ngatërresë të qëllimshme emri” Berisha e përdori dhe dy ditë më pas në sallën e parlamentit të Shqipërisë. Edhe pse familja e tij ishte familjarizuar me tragjedinë, edhe pse gruaja e tij Liri Berisha dhe dy fëmijët e tij ishin në ceremoninë e varrimit të baxhanakut të tij, ai vazhdonte të sillej sikur nuk e njihte Muhametin.
Berisha, një bashkëshort shembullor dhe i dhënë pas lidhjeve familjare të gruas së tij deri në detaje, po përpiqej të paraqitej para shqiptarëve ashtu siç nuk është, si një njeri që nuk njeh baxhanakun e vet.
Përpjekjet për ta mbajtur larg familjes së tij këtë histori i zbulon pa dashje gruaja e tij në intervistat e saj publike. Liri Berisha bëri tentativën e parë për ta rrëfyer gabim këtë histori.
Në një intervistë dhënë gazetës “Panorama”, në datën 15.04.2008, zonja Berisha thotë se ajo dhe i biri i saj nuk ia kishin treguar Sali Berishës faktin që ai kishte një baxhanak, që punonte në Gërdec dhe që ishte nga të vrarët mes viktimave.
Ja si e përshkruan ajo momentin kur është ndjerë keq që Berisha nuk dinte gjë për baxhanakun. “Problemi ishte se ai nuk pati rast ta takonte asnjëherë. Ata (motra me të shoqin), kishin vetëm tre muaj që kishin ardhur. Saliu lexonte emrin aty dhe unë thosha: “E zeza, si nuk ia kemi thënë!” Ato kohë kishim trevjetorin e vdekjes së mamasë dhe kishim menduar që ta linim për më vonë prezantimin familjar me njerëzit e familjes. Isha unë ajo që ia caktova si detyrë tim biri t’ia shpjegonte situatën” (“Panorama”, 15 prill 2008).
Shpjegimi i zonjës Berisha ka disa mangësi thelbësore. Mangësia e pare ka të bëjë me vetë imazhin e familjes Berisha dhe marrëdhëniet perfekte që ata kanë si çift. Çifti Berisha shquhet për raporte shumë të sinqerta me njëri-tjetrin dhe marrëdhënie shumë të mira. Në një raport të tillë familjar, që kurrsesi s’mund të besojmë se është hipokrit, nuk mund të ndodhë që zonja Berisha të mos i ketë folur asnjëherë burrit të saj për baxhanakun, i cili po punonte në një punë që e kishte rekomanduar djali i tyre. Por hijet e dyshimit rriten më poshtë, kur zonja Liri Berisha tregon se si ka mësuar që kunati i saj po punonte në Gërdec. “Kur një ditë shkojmë në varreza te prindërit, e pyes motrën nëse i shoqi kishte filluar punë dhe ajo më tregoi se po punonte diku afër Marikajt. Kur e pyes se çfarë bën, ajo mu përgjigj: “Mban ca arka municionesh”. Është i kënaqur me punën? – e pyeta. “Jo dhe aq, mban ca arka, por do të rrijë veç pak, sa të gjejë një punë tjetër më të mirë”. Në kohën që vdiq, kishte marrë vetëm dy rroga.” (“Panorama”, 15 prill 2008).
Kjo deklaratë e zonjës Liri Berisha bie ndesh me deklaratat e motrës së saj, Vjollca Hoxha, (Rama) e veja e Muhamet Hoxhës vrarë në Gërdec. Zonja Hoxha, e cila duket se ka qenë në periferi të përfitimeve nga pushteti i kunatit të saj, e tregon ndryshe historinë. Në një intervistë në “Gazeta Shqiptare” më 15 qershor 2008 ajo thotë se burri i saj ishte kthyer në Shqipëri që në muajin nëntor, kurse ajo vetë që në fillim të vitit 2007, dhe jo siç thotë Liri Berisha, “ata (motra me të shoqin) kishin vetëm tre muaj që kishin ardhur”. Vjollca Hoxha, (Rama)motra e Liri Berishës, në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, rrëfen se ishte kthyer në Shqipëri në qershor të 2007 për të vizituar familjarët, dhe se në Shqipëri e mbante një operacion që duhej të kryente, pasi kishte këputur meniskun. Më pas kishte ftuar dhe Muhametin të kthehej në Shqipëri, derisa të përfundonte operacioni.
(“Gazeta Shqiptare”, 15 qershor 2008).
Nga ana tjetër, të dy motrat nuk bien dakord për faktin se a kishin dijeni ato për punën që bënte i ndjeri Muhamet Hoxha. Vjollca tregon se nuk e dinte që bashkëshorti i saj punonte në një fabrikë demontimi të armëve: “Po si mendoni ju, që po ta kisha ditur, do lejoja që im shoq të punonte aty? Unë me të vërtetë s’jam e pasur, kam punuar si gjithë shqiptarët e tjerë nëpër Evropë, tri punë në ditë, nga kuzhiniere te pastruese, por nuk isha duke vdekur nga uria që të lejoja që im shoq të punonte aty, në mes të rrezikut”, – thotë gjatë intervistës së saj Vjollca Hoxha (Rama). (“Gazeta Shqiptare”, 15 qershor 2008).
Ndryshe nga kjo, zonja Liri Berisha në intervistën e saj thotë: “Kur e pyes (motrën) se çfarë bën (burri), ajo m’u përgjigj: “Mban ca arka municionesh”. (Gazeta “Panorama”, 15 prill 208). Këto lajthitje të zonjës Berisha në intervistën e saj publike për Gërdecin dëshmojnë se ajo, ose nuk është e sinqertë me opinionin publik, ose nuk ka qenë e sinqertë me motrën e saj dhe bashkëshortin e saj, Sali Berisha.
Motra e saj provon se ka qenë me burrin në Shqipëri prej vitit 2007 dhe se nuk e ka ditur se burri i saj punonte mbajtës arkash municionesh. Dëshmitë rreth Gërdecit dhe hetimet e bëra nga prokuroria provojnë në të vërtetë që Muhamet Hoxha nuk mbante arka, por numëronte arka dhe ishte një lloj përgjegjësi në këtë punë.
Ndërkohë që Berisha gënjente publikisht për emrin e baxhanakut të tij, duke shpresuar se shqiptaret nuk do ta mësonin këtë të vërtetë, i biri i tij Shkëlzen Berisha fliste në telefon me Mihal Delijorgjin. Tabulati i zbardhur prej Prokurorisë provon se Shkëlzen Berisha ka folur në orën 12 48 minuta në telefon me Mihal Delijorgjin. Biles nëse i hedh një sy tabulateve të Mihal Delijorgjit shikon se njerëzit më të afërt me të cilët ai ka ndarë shqetësimin për tragjedinë që ndodhi në tridhjetë minutat e para janë gruaja e tij, kunati, Shkëlzen Berisha dhe Ilir Meta.
Tabulati i bisedes Shkelzen Berisha – Delijorgji
Shkëlzen Berisha mohoi në fillim se ka pasur telefonata apo njohje me Delijorgjin, por pas publikimit të tabulatit nuk bëri më komente. Më e piste është historia e bisedave dhe sms-ve të Ilir Metës me Mihal Delijorgjin. Siç shihni nga tabulati ata kanë folur 4 herë prej orës 1 deri në orën 4 mbasdite, kohë kur Delijrogji u arrestua. Pasi çështja u bë e rëndë dhe mori përmasa politike, Ilir Meta ka qene i shqetësuar se mos prokuroria ka kapur këtë bisede. Nga një përgjim telefoni i Delijorgjit me gruan e tij, flitet gjerësisht për ketë shqetësim. Gruaja i thotë Delijorgjit se Monika i ka shkuar në shtëpi dhe e ka pyetur nëse Mihali i ka fshire mesazhet e Ilirit dhe Mihali e siguron se i ka fshirë. Duke ia përshkruar gruas së tij mesazhin, ai thotë se Ilir Meta i ka thënë ‘më ke pranë si vëlla ne çdo rast’.
Pra siç shihet në orët e para të tragjedisë kemi pasur një përfshirje direkt te familjes së kryeministrit për të fshehur rrethanat që lidhnin ata me këtë histori.
Gruaja e kryeministrit tregon ndryshe historinë nga motra e saj, djali i saj flet me personin kryesor të tragjedisë, ndërsa kryeministri i ngatërron emrin baxhanakut te vet, edhe pse njeh me emër e mbiemër
Po si është përfshire djali i kryeministrit në këtë histori? Është e vështire ta ndash ku mbaron të qenit e tij si pronar real i këtij biznesi dhe ku ka qene thjesht ndërmjetës. Ata qe e njohin nga afër para shpërthimit dëshmojne se ai fliste hapur për këtë biznes, biles shpesh i shqetësuar qe administrate e babait të tij nuk e ndihmonte sa duhet të bënte dokumentacionin gati.
Shoqëria e tij me Fatmir Mediun në ato muaj ka qenë publike. Ata ishin bashkë në zyrë, në Sheraton, në makinë, në restorant. Sipas dëshmive që dalin nga blloku i sekretares së Ministrit, rezulton që Shkëlzen Berisha për një periudhë të shkurtër të ketë qenë aty mbi 50 herë.
Këto blloqe autentike argumentojnë çdo kundërshtim që mund të vije në vazhdim ne lidhje me përfshirjen tashme të provuar të zotit Berisha ne aferën e Gërdecit. Këto dy blloqe kanë të dokumentuara dhe të faktuara të gjitha vizitat “për kafe” që ka bërë në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, të Shkëlzen Berishës. Te gjitha takimet kanë të shënuara datat përkatëse dhe personat përkatës. Për lehtësi po ju japim vetëm ato data (faqe blloku) kur zoti Shkëlzen Berisha ka shkuar në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes për të takuar këtë të fundit. Siç shihet dhe nga blloku shumë skandaloz dhe shqetësues njëkohësisht është fakti që ne 17 ose 18 mars zoti Shkëlzen Berisha ka shkuar të takoje ministrin Mediu në zyrën e këtij të fundit në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithashtu është interesante fakti qe zoti Berisha e ka vizituar zyrën e Ministrit të Mbrojtjes katër ditë rresht në datat 17, 18, 19, 20 korrik 2007. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Nga hulumtimet tona del se gjatë periudhës korrik 2007 furnizimi me fishekë në fabrikën e Gërdecit bëhej shumë pak dhe nga ana e kompanisë AlbaDemil kërkohej më shumë municion, kërkesë e cila kishte hasur vështirësi dhe pengesa nga repartet ushtarake.
Nga marsi 2007 deri në mars 2008 zoti Shkëlzen Berisha de facto ka pasur një zyrë të tijen në institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes. Pesë nga shume bisedat që janë bërë mes zotit Shkëlzen Berisha dhe drejtuesve te tjerë të Ministrisë duke përfshirë dhe Ministrin e Mbrojtjes janë inçizuar me gadget regjistrues nga dy prej të pandehurve, njeri prej të cilëve ndodhet në gjendje arresti, por këto materiale janë zhdukur dhe nuk i janë dorëzuar prokurorisë.
Lobimi i tij ne këtë heshtje shihet qarte edhe tek mënyra se si ka raportuar Ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, në adresë të tij për komentet e vendimit të qeverisë që do t’i hapte rrugë demontimit. Ky është dhe fakti më komprometues që lidh direkt djalin e Kryeministrit me këtë biznes, ku ministrat janë thjesht ushtarë raportues të tij.
Nga faksi i Ministrisë së Drejtësisë në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes, Bumçi ka nisur komentet e vendimit në një kopje për Shkëlzen Berishën. Edhe pse tri dite më parë e kishte nisur shkresën zyrtarisht, një fotokopje të saj ka bërë kujdes t’ia nis në një zyre të asaj ministrie ku Shkëlzen Berisha ishte bërë familjar, me faks. Edhe pse Bumçi e Berisha u përpoqën ta përgënjeshtrojnë faktin, sekretarja e Bumçit e konfirmoi atë në prokurori.
Një tjetër dëshmi e fortë që Shkëlzen Berisha ishte pronari real këtij biznesi, ishte Rrahman Selmanllari, një mik i vjetër i tij, i cili e përdorte shpesh si mbulesë e veprimeve të tij si sekser.
I thirrur nga prokuroria Rrahman Selmanllari pranon se ka miqësi me Shkëlzen Berishën, por mohon të ketë lidhje me Gërdecin.
Dëshmia e tij është e rreme, por ai nuk është marrë i pandehur për këtë. Së pari kemi dëshminë e kunatit të tij që punonte në atë që quhej “Grupi hije” në Gërdec dhe qe ishte një grup special që nuk i jepte llogari askujt. Gjithçka ka të bëjë me grupin HIJE qe vepronte “turni i tretë” në Gërdec dhe merrej vetëm me organizimin e municioneve. Të gjithë te lidhur (Kunetër, krushqi, të afërm, miq) me aksionierin hije të Gërdecit, zotin Rrahman Selmanllari. Të gjithë këta persona kanë dhënë dëshmi të rreme dhe prokuroria fatkeqësisht e ka lëne deri këtu hetimin pa dashur t’i shkojë deri në fund.
Pra dëshmia e Selmanllarit që nuk ka lidhje me Gërdecin, dhe që nuk njeh askënd që punon aty hidhet poshtë nga dëshmitë e njerëzve të tij që e pranojnë se janë punësuar aty për shkak të tij. Ekziston një dokument që provon se Rrahman Selmanllari ishte i autorizuar i kompanisë amerikane SAC që po instalonte fabrikën e demontimit.
Njeriu i Shkëlzen Berishës ishte personi kyç që drejtonte gjithë punën në Gërdec dhe ende sot nuk është thirrur nga Gjykata për dëshmi të rreme. Po ashtu nuk është thirrur as nga prokuroria, as nga gjykata Shkëlzen Berisha. Nuk është thirrur nga prokuroria dhe gjykata as Ilir Meta. Pra nuk është thirrur askush qe provon se gjithë ky biznes u ndërtua nga lobimi i djalit të kryeministrit dhe njerëzve të afërt të Berishës.
Nuk janë thirrur në prokurori as pronaret e firmës Trans Digging Construction, që është firma e cila ka kryer punimet për ndërtimin e fabrikës së Gërdecit.
Pronarë të kësaj firme janë Delijorgji, vajza e Fahri Balliut dhe dy vëllezër me mbiemër Mata, njëri prej të cilëve është drejtues tek Fondi Amerikan i Ndërmarrjeve në Tiranë.
Kjo kompani ka vepruar veç të tjerash pa leje ndërtimi dhe me arrogancë në prishjen e ndërtesave ushtarake çfarë tregon se ka pas mbrapa mbështetje të fortë politike. Aksionerët e saj nuk u thirrën asnjëherë nën hetim, duke u injoruar kështu zanafilla e këtij projekti politik.
Ekziston një dosje e tërë që kjo kompani ka shkelur rregullat kur ka filluar të ndërtojë dhe që ka vazhduar aktivitetin e saj edhe pas shpërthimit të Gërdecit. Pasi u bënë publike aksionarët, Balliu i dhuroi aksionet Delijorgjit, çka tregonte në të vërtetë dhe lidhjen e tyre të nëndheshme në këtë biznes.
Ka prova të qarta në dosje që tregon se kompania në fjalë ka krijuar shqetësim tek Policia Ushtarake në lidhje me punimet e kryera ne repartin e Gerdecit . Ky informacion i është bërë i ditur si Ministrit te Mbrojtjes z. Mediu dhe Shefit te Shtabit z. Hoxha dhe rezulton se asnjeri prej te dyve nuk jane dukur te interesuar për të zgjidhur problemin. Dokumenti C (fq 1;2;3 & shkresa nr.1217) tregojne procesverbalin e marrjes se dokumentave nga Prok. Pergjithshme si dhe shkresa nr. 1217 tregon mbi nje informacion qe Brigada Ajrore i kerkon Komandes se Forces se Bashkuar mbi punimet e firmes private “Trans Digging Construction”.
Kur fabrika e vdekjes filloi punë dhe Ministria e Mbrojtjes duhet të ishte mbikqyrëse e procesit, ajo ishte jashtë loje. Situatën në terren e kontrollonte ai që quhej “turni i trete” dhe merrej vetem me organizimin e municioneve. Ata ishin të gjithë të lidhur me njëri tjetrin, (Kuneter, krushqi, te aferm, miq) me aksionierin hije te Gerdecit Rrahman Selmanllari që në atë kohë përfaqësonte Shkëlzen Berishën në çdo transaksion biznesi apo pasurish të patundëshme. Keto persona kane dhënë dëshmi të rreme dhe prokuroria fatkeqesisht e ka lënë deri këtu hetimin pa dashur ti shkoje deri ne fund.
Të gjithë pjesëtarët e familjes Berisha kanë bërë deklarata kontradiktore rreth tragjedisë së Gërdecit, në përpjekje për të fshehur përfshirjen direkte të tyre në këtë biznes vdekjeprurës.
Shkëlzen Berisha, Fatmir Mediu, dhe gjithë njerëzit, gjurmët e përgjakura të cilëve të çojnë në Familjen e Sali Berishës dhe zyrat e pushtetit të tij janë të lehtësuar përkohësisht. Nuk dihet sa do të zgjasë qetësia e tyre, por 26 të vdekur janë shumë për të jetuar i qetë mbi tokë.