Kryebashkiaku i zgjedhur por i pabetuar i Himarës, Fredi Beleri u dënua me dy vite burg nga Gjykata e Posaçme për akuzën e shitblerjes së votave. AI u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit dhe pavarësisht se ndodhet në qeli prej atëherë, fitoi dhe po vazhdon betejën me drejtësinë.
Për këtë vendim të drejtësisë kanë reaguar dhe Partitë Popullore Europiane, të cilat kanë ngritur me shqetësim pretendimet për shkeljen e të drejtave të Belerit, duke qenë se ai është dhe minoritar. Rezoluta është përshëndetur dhe nga Ilir Meta i Partisë së Lirisë.
Fredi Beleri ka shpërndarë qëndrimin e Metës në llogarinë e tij dhe i entuziasmuar shkruan nga qelia, teksa thotë se e ka për nder që në krah ka dy shtyllat kryesore të opozitës, duke ju referuar Sali Berishës dhe Ilir Metës.
“Falënderoj përzemërsisht kryetarin e PL, z. Ilir Meta, për mbështetjen e tij të pakufizuar që prej fillimit të fushatës elektorale, por edhe për mbështetjen e palëkundur sa i përket përndjekjes sime politike gjatë gjithë kësaj periudhe.
Është nder për mua të kem në krahun tim dy shtyllat kryesore të opozitës së bashkuar të Shqipërisë, duke injoruar luftën propagandistike që bëhet ndaj meje nga media dhe qeveria e Tiranës”, shkruan Fredi Beleri, kryebashkiak i zgjedhur por i pabetuar i Himarës.
Fredi Beleri ra në pranga më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra.
Beleri dhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës. Nga hetimet e kryera u mësua se një agjent i infiltruar i Policisë ka përgjuar pazaret që Beleri ka bërë me persona pranë shtabit të tij./m.j