Shqipëria do të jetë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që do të aplikojë për tu bërë pjesë e Sistemit Europian të Pagesave(SEPA).
Guvernatori Gent Sejko shpreh se përfitimet e të qënurit pjesë e këtij sistemi janë të shumta për individët, bizneset, por dhe turizmin.
Sipas Bankës së Shqipërisë ngritja e sistemit ndërbankar në vend për transfertat në euro nga 2022-shi i kurseu qytetarëve 47 milionë euro. Me integrimin në Zonën Evropiane të Pagesave, kursimet do të rriten në disa herë
“Besoj vitin e parë ne mund të kemi rreth 20 milion euro kursime nga komisione duke përfshirë individët dhe bizneset. Por, shifrat do të jenë goxha më të mëdha, është me disa herë kursimi, por ajo që ne shohim më gjerë, ky instrument, kjo arritje do të ndikojë në formalizimin e ekonomisë, rritjen e përfshirjes financiare, modernizimin e pagesave dhe paralelisht edukimin financiar që ne kemi si projekt madhor”.
Kjo punë disavjeçare për integrimin në SEPA pritet të finalizohet me implementimin e një sistemi të shpejtë pagesash që do u mundësojë të gjithë aktorëve të transferojnë para në kohë reale. Sistemi do të nxisë konkurrencën mes institucioneve bankare dhe jo-banka, duke nxitur konkurrencën, ulur kostot dhe rritur cilësinë e shërbimit për përdoruesit përfundimtar.
“Kjo do të ishte një arritje dhe hap shumë i madh për të modernizuar edhe më tej sistemet e pagesave për të qenë në përputhje totale me sistemet moderne të Bashkimit Europian. Në arritjen e kësaj faze vendi ynë nuk do të ketë asnjë ndryshim për sistemet moderne të pagesave me vendet evropiane.”
Dalja e vendit nga lista gri e MoneyVal ishte gjithashtu një hap i rëndësishëm në integrimin e plotë të Shqipërisë në tregun financiar të BE-së.