Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Hasan Preteni, të hënën ka bërë me dije se për tri javë vetëm rreth 1 400 zyrtarë të lartë e kanë deklaruar pasurinë ose rreth 30 për qind.
Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka thënë se nuk janë duke mjaftuar apelet e vazhdueshme që zyrtarët të mos i presin ditët e fundit për t’i deklaruar të ardhurat e tyre.
“Nuk jam i kënaqur. Kanë mbetur vetëm edhe shtatë ditë pune deri në përfundim të afatit ligjor (31 mars) për deklarimin e rregullt të pasurisë dhe vetëm rreth 1 400 zyrtarë të lartë e kanë deklaruar pasurinë ose rreth 30 për qind nga numri i përgjithshëm i obliguesve që është rreth 4 300”, është shprehur Preteni, duke shtuar se Agjencia Kundër Korrupsionit do të ushtrojë kallëzime penale ndaj atyre që nuk e deklarojnë pasurinë.
“Në fillim të muajit prill ne do t’i publikojmë emrat e të gjithë atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe kundër të gjithë atyre do të ushtrojmë kallëzime penale”, ka theksuar ai.
Preteni ka vlerësuar se ka progres te pjesa e parandalimit të korrupsionit, por sa i përket luftimit, ende mbetet shumë për të dëshiruar. “Nuk ka vullnet, guxim dhe kurajë të mjaftueshme për t’u ballafaquar me këtë të keqe. Dëmin dhe pasojat jemi duke i përjetuar të gjithë ne, qytetarët e vendit”, ka deklaruar Preteni.
Ai ka bërë thirrje të ketë më shumë transparencë dhe llogaridhënie dhe, sipas Pretenit, ata që nuk japin rezultate duhen të largohen nga pozitat. “Duhet të publikohen të gjitha vendimet e mekanizmave që kanë për mision luftën kundër korrupsionit. Duhet që në instancat më të larta të ketë debat publik për punën dhe rezultatet e punës. Titullarët e institucioneve duhet të japin llogari për punën apo mospunën e tyre. Të gjithë ata që nuk reflektojnë dhe që nuk japin rezultate duhen të largohen nga pozitat. Por, fatkeqësisht, një gjë e tillë në Kosovë nuk po ndodh as pas gati 17 vjet liri e as pas tetë vjet pavarësi”, ka thënë Preteni për “Epokën e re” .